Deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi anëtar i komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Pjerin Ndreu, u shpreh gjatë emisionit “45 minuta” në Report TV, se policia e di vrasësin e bankierit Artan Santo, por siç tha ai, është e vështirë ballafaqimi i provave të ngjarjes me autorin e vrasjes. Sipas tij, Policia dhe Prokuroria kanë një emër, të cilin po e ndjekin.
Jeni akuzuar nga PD për deputetë të inkriminuar. Cili do të jetë efekti i ligjit të dekriminalizimit?
Partia Demokratike është e inkriminuar për vete sepse ka një ish-kryeministër që ka vrarë, mban mbi supet e veta Gërdecin dhe 21 Janarin. Në bashkëpunim me kryetarin e PD-së, mbajnë mbi supe shitjen e detit, skandalin e madh të Rrugës së Kombit etj. Kjo lloj historie është bërë aq banale, aq e turpshme, sa kryekriminelët e Shqipërisë kanë marrë flamurin në dorë dhe artikulojnë lloj-lloj historish për kriminelë në grupin e PS-së. E çuditshme sesi shiten e përkthehen kaq lehtë në Shqipëri… Kriminel të bën një vendim gjykate me vendim të formës së prerë. Çdo person prezumohet i pafajshëm, pa një vendim të formës së prerë nga Gjykata. Është një taktikë që sipas meje, duke qenë se kam qenë pjesë e strukturave antikrim, është një taktikë e krimit të organizuar, që nëpërmjet akuzave të krijojë një perde ku nuk sheh realisht kush janë autorët e vërtetë të krimit të organizuar. Në Gërdec kemi të bëjmë me një krim të organizuar. Pasi një familje në politikë, bllokon investigimet dhe auditet e shtetit, shfrytëzon fëmijët dhe hedhin në erë, jo vetëm se vdiqën 26 vetë, por rrezikuan një zonë të tërë. Një organizatë mafioze që ka për qëllim përfitime të paligjshme, duke shfrytëzuar pushtetin politik. Tatimet, Policia, Ushtria, SHISH, pushteti lokal, nuk dinin asgjë, si është e mundur?
Ai ishte pikënisje e dekriminalizimit incidenti me z. Strazimiri, ku ishit i përfshirë edhe ju?
Ka qenë rasti Strazimiri. Më vjen keq që një moment gjaknxehtësie i imi interpretohet si krim. Nuk është ndonjë rast që i bën nder kujt, por nuk është shkak për të më vënë në bankën e të akuzuarve.
A ishte kjo si shkak për kauzën e PD-së për dekriminalizimin?
Pjesëmarrja ime ishte periferike, e dëshmuar kjo edhe nga Strazimiri. Problemet e dekriminalizimit s’kanë asnjë lidhje me emrin tim.
Keni komunikim me z. Strazimiri?
Është i vetmi në PD që nuk i thotë mirëmëngjesi asnjë deputeti të PS-së, madje edhe gjysmën e deputetëve të PD-së nuk e përshëndet.
Do ketë efektin e duhur dekriminalizimi? Apo siç thotë Rama e bëmë për hir të PD-së, jo se do zbulojë ndonjë gjë?
PD-së i interesonte të mos kishte ligj dhe ta mbante idenë e kriminalizimit të PS-së, ta mbante hapur dhe ta mbante me idenë që në PS janë 10-20-30 deputetë të inkriminuar. Ka qenë edhe një grackë e Berishës që duke artikuluar dy emra në PS, ka dashur të zgjojë një reagim me 2-3 emra konkretë të PD-së dhe duke krijuar përleshje në parlament, por ne s’kemi rënë në atë grackë.
Duket se e arritën fitoren e dekriminalizimit…
S’është fitore e opozitës, por e të gjithë politikës që u ndërgjegjësua se duhet t’i vihet fre. Politika si majtas dhe djathtas ka kusure në këtë histori.
Kthehemi te zhvillimet brenda PS-së, në Shkodër u mendua se mund të krijohej një minielbasan, me dy deputetët që kanë qenë kritikë dhe kanë kërkuar zgjedhje, znj. Hafizi dhe z. Kopliku. Nuk u krijua se e keni menaxhuar mirë situatën, apo se kanë ndryshuar qëndrimet ndaj Ramës?
Ju gazetarët keni një zell të madh për të prodhuar përplasje. Znj. Hafizi doli dhe foli, duke thënë fjalët e veta dhe askush nuk e ndaloi, përkundrazi e duartrokitën. Në Shkodër ka qenë një takim madhështor me një pjesëmarrje super të kënaqshme dhe ka qenë një komunikim jashtëzakonisht brilant i kryetarit të PS-së me publikun. Nuk ka ndodhur asgjë. Znj. Hafizi ka thënë fjalët e veta dhe i ka thënë ashtu siç i mendonte.
D.m.th. ka një reflektim nga Elbasani?
Turma ka emocione kudo. Dikujt s’i pëlqen një lojtar, dikujt tjetër s’i pëlqen një lojtar tjetër. Është e vështirë të menaxhosh turmën. Vetëm në Shqipëri e dëgjon që vërshëlleu turma dhe fajin e ka Edi Rama.
Ndërkohë, edhe në Shkodër Rama përmendi referendumin… është realisht konkrete kjo ide?
Unë jam kundër. Jam dhe kundër zgjedhjeve. Se ai është i mandatuar kryeministër. Duke qenë i tillë ka marrë përsipër procesin e reformave shumë të rëndësishme. Ne kemi shumë shpresë se do të realizojmë atë që është vënë qëllim nga qeveria. S’kemi si të prodhojmë një debat pa lidhje, kur kryeministri është i mandatuar. Përsa kohë ne kemi një Reformë Territoriale të suksesshme, në arsim, energjetikë, kemi ndërmarrë reformë të suksesshme në pensione.
Edhe ju akuzuat z. Kokëdhima për sulm ndaj Veliajt disa ditë më parë. A ka reflektuar z. Kokëdhima?
Nuk ishte sulm, por një konstatim. S’i bëra akuzë, thjesht konstatova që s’është normale për PS që një deputet të sulmojë kryetarin e Bashkisë, për arsye të paqarta. Kryetari i Bashkisë është një personalitet për PS dhe në i kemi dhënë vetëbesimin për të punuar. Nëse ka diçka për të biseduar, hajdeni ta bisedojmë, por nuk mendojmë që për arsye të paqarta të sulmohet Kryetari.
U mbyll kjo çështje këtu? Mendoni se superdeputeti do ndalet me kaq?
S’jam këtu për të gjykuar Kokëdhimën. S’më duket se është superdeputet, por si gjithë të tjerët. Superdeputeti është term i medias. Aty ku unë mendoj se nuk është korrekt, e kam thënë fjalën time dhe do ta them prapë. Mbledhjen e fundit të grupit s’pati asnjë lloj debati, ndryshe nga sa ka thënë media. Kokëdhima thjesht kërkoi rrugën që ndiqet për mandatin, se me të kaluar në Këshillin e Mandateve hyn menjëherë në seancë. Këtë s’e dija as unë në fakt.
U vra një deputet i PS-së para disa vitesh dhe ende s’është zbuluar… S’kemi shans t’i zbulojmë këto ngjarje?
Ka ngjarje që u dihet autori, por duhen sqaruar disa çështje. Dhe ka disa ngjarje që është e vështirë të kalohet nga e dhëna në provë. Dhe këtu është ngërçi që ndodh në zbulimin e krimeve. Pra, është shumë e vështirë gjetja e provave…
Po për bankierin Santo… Dihet autori por s’ka prova?
Besoj se po. Në Polici dhe Prokuroi ka emër, që ndiqet nga këto struktura, por s’ka prova. S’është e lehtë të arrihet te prova. Mesa kam unë dijeni, është vrasje me pagesë, që e ka paguar dikush, por që ka një emër. Duhet të jeni koshient se nuk është e lehtë të sigurosh provat, s’është me dëshirë e entuziazëm. Ka patur ngjarje që janë zbuluar, edhe pas 10 vitesh. Media duhet të jetë pak më e kujdesshme, se kam dëgjuar nga media që nëse ndodh një vrasje, direkt thonë se ministri X është ministri më i dobët në histori që nga koha e Ismail Qemalit. Media ka bërë edhe dëme në proceset hetimore, duke artikuluar gjëra që s’kanë lidhje me ngjarjen. Edhe kanë disinformuar. Zbulimi i krimit nuk bëhet me orë pune.
Ju thatë se bëhet fjalë për një person të dyshuar, është i ndaluar nga Policia?
Nuk është i ndaluar, se do ishte problem tjetër. Por s’mund të hyj në detaje sepse nuk kam të dhëna. Thash se është investuar një punë e madhe në atë ngjarje dhe ka një fokus të konsoliduar se ku janë drejtuar shigjetat. Se sa janë mundësitë që kjo të përkthehet në prova ligjore për ta bënë përballë fakteve, është një proces i vështirë.
Patët një përplasje me kreun e SHISH… E keni më këtë përplasje?
Nuk kam asnjë përplasje. Ajo që ka qenë, ndodhi për shkak të asaj që gjetëm në SHISH. Gjetëm përgjime që nga kryeministri, kryetari i Parlamentit e të gjithë. Na u tha se përgjigjet kanë dalë indirekt, gjatë përgjimeve ndaj një të inkriminuari, por na rezultoi që përgjimi ishte mes kryeministrit dhe kryetarit të parlamentit. Ne kemi bërë raportin tonë dhe kjo është puna jonë. Dhe kjo mbeti me kaq.















