Filmi kosovar “Babai”, që është nominuar nga Kosova për përfaqësim në kategorinë e filmave të huaj në Oscars, ka fituar edhe një çmim tjetër.
Filmi ka fituar në kategorinë e debutimit në festivalin Cottbus- Festival of East European Cinema, dhe kësisoj merr çmimin e 11-të me radhë. Çmimi në fjalë kushton 3 mijë euro ndërsa ndahet nga BTU Cottbus-Senftenberg dhe Film University Babelsberg “Konrad Wolf”.
Historia kosovare, e vënë në shirit filmik nga regjisori Visar Morina – “Babai”, që e shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku), një fëmijë që shet cigare në rrugë, bashkë me të atin, Gëzimin (Astrit Kabashi), në Kosovën e viteve të nëntëdhjeta. Babai përpiqet të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, kurse i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë mes dëshirës për të qenë bashkë dhe nevojës për të përballuar jetën e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë.
Filmi “Babai” po vazhdon udhëtimin e tij tani në Festivalin e Filmit në Selanik.


















