Familja Kadare, me origjinë nga Gjirokastra dhe me banim në Vlorë, prej një viti shkonte shpesh në fshat, në vendlindjen e gruas së viktimës, me qëllim të ndërtonin aty një shtëpi. Sipas burimeve nga vendngjarja, pak minuta para krimit, 57 vjeçari ka qenë duke konsumuar një kafe në lokalin e fshatit me miqtë të tij dhe më vonë është nisur për në banesë.
Mendohet se autori i kishte zënë pritë dhe sapo fqinji i është afruar, ka nisur të debatojë më të. Në grindje e sipër ai e ka qëlluar me thikë Kadarenë, duke i shkaktuar vdekjen. Duke folur për “Panorama”, Vero Allushaj, administratori i njësisë administrative Sevaster, ku përfshihet fshati Ploç, u shpreh se ai kishte qenë duke pirë kafe me çiftin Kadare para se të ndodhte krimi. “Po pinim një kafe së bashku.
Unë isha me djalin, ndërsa Ilia me të shoqen. Ishim bashkë, në një lokal të Ploçës, deri rreth orës 20:00 të mbrëmjes. Më pas ne e çuam me makinë afër banesës. Nuk na e merrte mendja kurrë se do të ndodhte ky krim”, thotë Allushaj, shkruan “Panorama” Ai thekson se viktima i kishte treguar se kishte probleme me fqinjin që ndanin tokën në fshatin Ploç, por nuk e ka menduar se do të shkonte konflikti deri në marrjen e jetës.
Sipas administratorit Allushaj, Ilia Kadare kishte marrë një sipërfaqe toke në fshat dhe sherri ka nisur pikërisht këtu. Ai e kishte rrethuar dhe kërkonte që të ndërtonte aty banesën, por nuk mundi që të siguronte dokumentacionin e plotë mbi pronën, për shkak të pretendimeve të autorit, Mystehak Selimaj. Ky i fundit u arrestua menjëherë pas ngjarjes dhe mendohet se ka qenë në gjendje të dehur. Policia ka marrë dëshminë e bashkëshortes së 57vjeçarit, e cila ka qenë e para që gjeti të plagosur rëndë të shoqin. Me gjithë transportimin për në spital, Kadare ndërroi jetë.






















