Ministri grek i Mjedisit, Vasilis Maniatis prezantoi sot masterplanin që Greqia ka përgatitur për furnizimin e Europës Juglindore dhe Europës Qendrore me gaz natyror.
Në fjalën e Maniatis në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington D.C., Greqia aspiron të shohë një gazsjellës në territorin e saj dhe përgjatë vijës së propozuar të gazsjellësit të mbështetur nga Rusia, po ashtu edhe të Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), i cili do të lidhë Greqinë me Shqipërinë dhe Italinë. Mirëpo, Maniatis nuk e përmendi Maqedoninë në prezantim, edhe pse harta që ai zgjodhi për të ilustruar planin ambicioz, e tregoi qartë se ka një vijë lidhëse të TAP-it me Maqedoninë, shkruan portali maqedonas “MINA”.
Pyetja kyçe që Maniatis ngriti para publikut amerikan, është se nga do të vijë ky gaz natyror? Një pjesë e përgjigjes bazohet te gazi azer, që duhet të transportohet përmes Gruzia-s dhe Turqisë, me anë të Gazsjellësit Trans-Anatolian (TANAP). Pjesa tjetër do të vijë nga gazi natyror i transportuar përmes anijeve, të cilat do të shkarkohen për t’u rigazifikuar në Greqi. Maniatis propozoi se një ngarkesë e tillë dhe rigazifikimi do të bëhet në portin grek të Kavalës, në veri të vendit, në brigjet e detit Egje.
Greqia ka një total prej 12 Projektesh të Interesit të Përbashkët (PCI), të cilat janë kyçe për Evropën dhe për krijimin e një tregu energjetik të integruar për Europën Juglindore. “Projektet tona do të lejojnë furnizimin me energji nga burime të ndryshme, që do të vijnë nga Greqia. Ne do të donim të krijonim një rrjet, si ai që ndodhet në veri të Evropës, ku tregu është tejet i integruar dhe, si rrjedhim, çmimet e gazit janë mesatarisht 35% më të ulëta se tonat”, tha Maniatis.
Një nga projektet, që, sipas ministrit grek, do të kërkojë mbështetje nga Bashkimi Europian është një gazsjellës ndërlidhës midis Greqisë dhe Bullgarisë, me një gjatësi prej 180 kilometrash, i cili do të jetë një “portë hyrëse për gazin në Europën Qendrore”. Ky rrjet do të lidhë projektet e propozuara TANAP dhe TAP, që vijnë nga Azerbaixhani dhe vazhdojnë me Italinë dhe Bullgarinë dhe që do të mundësojnë një lidhje me veriun, drejt Rumanisë, Serbisë, Hungarisë dhe vendeve të tjera të Evropës Qendrore.
Këto vende kanë lidhje me projektin “South Stream” të mbështetur nga Rusia, si një zhvillim i shpejtë dhe realist i sektorit energjetik në Ballkanin lindor, por fati i këtij projekti varet nga ekuilibri që do të vendoset pasi BE-ja e ka ndaluar ndërtimin e tij. Maniatis thotë se ndërlidhësi me Bullgarinë do të mund të furnizojë të gjitha vendet që supozohet të jenë pjesë e rrjetit “South Stream” me gazin e furnizuar nga TANAP dhe TAP.
Sërish, drejtimi kryesor i gazit azer është Perëndimi, paralelisht me korridorin e vjetër “Egnatia”, – por duke shmanguar Maqedoninë – dhe kalimi i tij përgjatë kufirit greko-maqedonas, më tej në Shqipëri dhe përmes një vije nën detin Jon deri në Itali. Ky gazsjellës mund të ketë një degë furnizimi për Maqedoninë, megjithatë supozohet që Maqedoninë do ta furnizojë “South Stream” përmes Serbisë ose Bullgarisë.
Greqia po lobon fort për t’u shndërruar në një lojtar kryesor në të ardhmen e furnizimit me gaz për Bashkimin Europian, por edhe për shkak të potencialeve të gazit dhe naftës që gjenden në detin Mesdhe, midis Izraelit dhe Qipros. Mirëpo, këto rezerva nuk mund të përdoren për momentin, për shkak të situatës politike lidhur me fatin e ishullit të ndarë të Qipros.















