Dy ditë pas atentatit të ndodhur në burgun e Vaqarrit, nëna Ergys Kolaverit, një prej të arrestuarve, thotë se i biri nuk ka lidhje me atentatin e të shtunës.
Vashe Kolaveri thotë për Report Tv se ka mjaft dëshmitarë që tregojnë se i biri ka qenë në shtëpi dhe në punë të shtunën kur nga një kodër jashtë burgut të Vaqarrit u qëllua në ambientet e ajrimit duke lënë të plagosur një kosovar.
Shënjestër e atentatit dyshohet të ketë qenë Gazmir Daci, i cili në nëntor të 2015-ës ka vrarë Vlamir Kolaverin dhe la të plagosur vëllain e tij Robertin. I arrestuari nga policia për atentatin në burgun e Vaqarrit, Ergysi – është vëllai i tyre.
Këtë pretendim ajo e mbështet në faktin se sipas saj gjatë kohës së ngjarjes dhe gjithë ditën e shtunë, i biri ka qenë vazhdimisht në shtëpi, ose duke punuar në një kompleks stallash lopësh pronë e familjes në Bathore.
Më tej gruaja rrëfen se i biri mjekohej prej kohësh dhe se kishte probleme shëndetësore në sy dhe për këtë shkak ai kishte vështirësi për të udhëtuar edhe me furgon, e aq më pak kishte mundësi për të qëlluar me armë.
Ajo pohon se ka pasur edhe dëshmitarë të tjerë që kanë parë të birin në shtëpi apo të gjithë rrjetet e dyqaneve ku ata dërgojnë qumësht çdo ditë. Gruaja thotë se ata nuk e kanë menduar asnjëherë hakmarrjen ndaj familjes Daci.
Sipas saj, Gazmir Daci shkaktoi konfliktin me fëmijët e saj.
Ergys Kolaveri, është vëllai i Valmir Kolaverit i cili mbeti i vrarë me 4 nëntor të vitit 2015, në qendër të Bathores, pasi u godit me armë zjarri nga Gazmir Daci, i njohur edhe me emrin Elson Daci.
Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe vëllai i Valmirit, Robert Kolaveri. Ky i fundit tashmë është i paralizuar dhe qëndron në karrocë, në pamundësi ekonomike, për të kryer një operacion të shtrenjtë jashtë vendit.















