Komuna e Prishtinës ka vendosur që nga sot, se personat në asistencë sociale do të jenë të liruar nga pagesa për vërtetim të pronës. Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari i kësaj komune, Shpend Ahmeti.
Sipas tij, ndonëse është pritur disa muaj që Qeveria me një udhëzim administrativ të liroj rastet sociale nga pagesa e vërtetimit të pronës, kjo gjë sipas tij nuk është realizuar.
“Pra, personat në asistencë sociale duhet të kenë vërtetim që nuk kanë pronë për secilin anëtar të familjes e që kushton 3 euro. Në koordinimin me Qendrën për Punë Sociale, tanimë kërkesat e dërgohen direkt drejtorisë së kadastrit e cila përgjigjet zyrtarisht për pronën e personave në fjalë dhe nuk ka nevojë për vërtetim me që rast, familjet në asistencë sociale nuk kanë nevojë të paguajnë këtë taksë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.













