Në qytetin e Elbasanit dhe Vlorës, brenda një dite janë asgjësuar gati 10 mijë rrënjë lënde narkotike, të llojit kanabis sativa.
Në lidhje me këtë ngjarje, në Elbasan janë arrestuar dy kultivuesit dhe kryeplaku i një fshati për akuzën e moskallëzimit të krimit.
Ndërsa në Vlorë nuk janë identifikuar kultivuesit e 8 parcelave me kanabis, por është arrestuar një 18-vjeçar i cili kishte mbjellë hashash në oborrin e banesës së tij.
Më konkretisht, në Elbasan janë asgjësuar 3900 bimë narkotike me lartësi 10 centimetër. Policia e Elbasanit thotë se ka arrestuar në flagrancë dy kultivuesit, Tauland Isufi, 28 vjeç, dhe Lulëzim Haxhiu, 29 vjeç, të dy banues në fshatin Korrë dhe kryeplakun e fshatit, Fiqiri Hyka, 66 vjeç.
Këta persona akuzohen për veprën penale të “Moskallëzim Krimi”.
Ndërkohë në Vlorë janë zbuluar dhe asgjësuar 8 parcela me rreth 6358 rrënjë bimë narkotike, kanabis sativa, të mbjella në 4 fshatra të Vlorës.
Policia ka bërë të ditur se bimët narkotike ishin të mbjella nëpër pjesë toke të hapura posaçërisht për kultivimin e tyre, në thellësitë e pyjeve, gjithashtu anës lumit Shushicë dhe përrenjve të vegjël, në fshatrat e mëposhtëm:
Dukat, 2 parcela me 2800 rrënjë,
Palasë, 4 parcela me 748 fidanë,
Llakatund, 1parcelë me 2400 rrënjë,
Lapardha, 1 parcelë me 410 rrënjë. Lartësia e tyre varionte në 10 – 40 cm. Gjithashtu, njoftohet se është bërë edhe asgjësimi i tyre me anë të djegies.
Policia thotë se punohet për identifikimin dhe kapjen e kultivuesve.
Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë për “Kultivimin e bimëve narkotike”, shtetasin me inicialet F. B., 18 vjeç, banues në Vlorë. Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas është kapur në flagrancë në banesën e tij në lagjen “24 Maji” për kultivimin e disa rrënjëve me bimë narkotike të mbjella në oborrin e banesës, me lartësi 25-40 cm, të cilat u asgjësuan me djegie.















