Ambasadori amerikan deklaroi se bashkë me anëtarë të tjerë të ambasadës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ministrin Saimir Tahiri e kreun e policisë Didi
Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu, shprehu sot mbështetjen për aksionin e policisë kundër kanabisit në Lazarat. Pas një takimi me studentët e fakultetit të Shkencave Sociale, ambasadori Arvizu foli për aksionin e policisë duke deklaruar se ka pasur kontakte të vazhdueshme si me ministrin e Brendshëm Tahiri ashtu edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të policisë, Artan Didi.
“Ne mbështesim fort veprimet e ndërmarra nga zbatuesit e ligjit. Unë dhe anëtarë të tjerë të ambasadës kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ministrin Saimir Tahiri e kreun e policisë Didi. Lazarati ka qenë problem për vite të tëra dhe jemi shumë të inkurajuar që qeveria ka vendosur të veprojë. Gjithashtu vlerësojmë faktin që kanë treguar kujdes në shmangien e viktimave dhe të lënduarve. Shumë banorë nuk janë të përfshirë, por ja që jetojnë aty”, tha ai më tej.
Ambasadori amerikan bëri thirrje policisë të vazhdojë aksionin me arrestimin dhe dënimin e personave të përfshirë në veprimtari të paligjshme në Lazarat.
“Është e rëndësishme që aksioni të pasohet me arrestime, ndjekje penale e dënime. Por kjo në bazë të fakteve dhe jo spekulimeve”, tha Arvizu.
















