Artan Shkëmbi ka deklaruar se dorëheqja nuk është dhënë për ndonjë pazar për ndonjë post dhe se kurrsesi nuk është dalje në pension. Kryetari i Bashkisë së Pogradecit i cili i dorëzoi dje kryeministrit Rama dorëheqjen e tij, ka thënë se dorëheqja nuk është dalje në pension.
Gjatë një interviste për “Panorama”, Shkëmbi ka thënë se dorëheqja e tij është dhe një mesazh për të tjerë kryebashkiakë, që kanë shumë mandate. Ai mohon zërat se dorëheqja e tij ka qënë e kërkuar nga Rama dhe thekson se ka qënë një vendim i tij personal, të cilin Rama e ka mirëkuptuar.
“Nuk besoj se largimi im nga detyra e kryetarit ka qënë një marrëveshje apo më keq akoma, një pazar për të lënë një detyrë apo për të marrë një detyrë. Sigurisht që unë nuk kam moshën e pensionit dhe nuk kam dalë në pension”, ka thënë ai.
“Fakti që unë nuk jam në moshën e pensionit dhe kam një përvojë të mjaftueshme, përveçse në shoqërinë civile më parë, dhe tani 12 vjet në pushtetin vendor dhe në organizmat ndërkombëtare, duke qënë anëtar i Kongresit të Këshillit të Europës në Strasburg, dhe përfaqësuesi i Shqipërisë në Autoritetet Lokale në BE. Besoj se e gjithë kjo pervojë, do të më shërbejë që mund të më ofrohet në të ardhmen”, ka shtuar më tej ai.
















