Zbatimi i kësaj marrëveshje do të fillojë menjëherë sapo të dy shtetet të bëjnë përgatitjet teknike që lidhen me këtë çështje, ndërsa modeli që do të aplikohet bazohet në modelin e aplikuar në mes të Greqisë dhe Maqedonisë, dallimi është që letërtngjitëset aplikohen për tabelat e veturave të të dyja shteteve.
Ky avancim i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes i arritur në vitin 2011 do të lehtësoj më shumë qarkullimin e qytetarëve të të dy shteteve dhe do të minimizoj pritjet në pikat kufitare ngase nuk do të kërkohet më që të ndërrohen tabelat RKS me ato provuese.
Poashtu në këtë takim është diskutuar për planin e heqjes nga qarkullimi të tabelave të mbetura ilegale që qarkullojnë aty-këtu në veri të vendit.
Delegacioni i Kosovës në këtë takim njoftoi se po bëhen përgatitjet e fundit për hapjen e zyrave të Agjencisë së Regjistrimit Civil në katër komunat veriore si dhe të zyrave të gjendjes civile në këto komuna, proces ky që pritet të përmbyllet shpejtë dhe në këto komuna të fillojë pajisja e gjithë qytetarëve me pasaporta, letërnjoftime dhe certifikata të gjendjes civile dhe të dokumenteve tjera të shtetit të Kosovës.
Takimi i radhës i grupit punues për lirinë e lëvizjes pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme ku do të diskutohen detajet tjera teknike për zbatimin e plotë të marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes dhe Planit për Zbatim të vitit 2011 si dhe konkluzioneve të arritura sot që avancojnë tutje këtë marrëveshje dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.
Delegacioni i udhëhequr nga Ministrja Edita Tahiri kishte në përbërje edhe këshilltarin e saj kryesor politik dhe koordinatorin e çështjes Dren Zeka, Drejtorin e Zyrës për Planifikim Strategjik, Qemajl Marmullakaj, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Driton Gashi, Këshilltarja Politike Elona Cecelia dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Kosovës në Belgjikë.






















