Një qeveri tranzicioni brenda gjashtë muajsh për të kaluar në aprovimin e një Kushtetute të re dhe në zgjedhje nën mbikëqyrjen e OKB-së brenda 18 muajsh. Kjo është marrëveshja e arritur këtë të shtunë në Vjenë, në raundin e dytë të negociatave mbi Sirinë, sipas sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.
Fillimi i bisedimeve mes regjimit të Bashar al-Assadit dhe opozitës më 1 janar 2016 do të jetë edhe fillimi i zbatimit të një “udhëzuesi” për të cilin është rënë dakord nga palët e përfshira në negociata.
Kusht që ky udhëzues të zbatohet është futja në fuqi e armëpushimit mes qeverisë dhe grupeve rebele të njohura nga ndërkombëtarët.
“Por, kjo nuk vlen për grupe si ISIS-i apo për Frontin al-Nusra, të cilat duhet të luftohen bashkërisht”, ka thënë Kerry.
Plani parashikon që gjashtë muaj nga fillimi i bisedimeve të formohet një qeveri tranzicioni; 18 muaj nga fillimi të hartohet një Kushtetutë e re; dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara për t’i hapur rrugë Sirisë së re.
Në vijim të deklaratës së tij, Kerry ka pranuar “fërkimet” me homologun rus Sergei Lavrov, sa i përket fatit të liderit aktual të Sirisë, Bashar al Assad.
















