Një genocid për të cilin qeveritarët aktualë turq të sotëm nuk kanë asnjë faj, por duke e mohuar, sillen sikur të ishin fajtorë.
Nga Antonio Ferrari
Shpesh mjafton një citim për të provokuar reagimin e Turqisë. Reagim thuajse gjithnjë i papërmbajtshëm, sepse Ankaraja refuzon, me këmbëngulje, ta pranojë se në të kaluarën e saj (një shekull më parë) ka një njollë të pazhbëshme, që quhet “genocidi i popullit armen”. Genocidi për të cilin qeveritarët aktualë turq të sotëm nuk kanë asnjë faj, por duke e mohuar sillen sikur të ishin fajtorë. Në fakt hedhin në gjyq shkrimtarë, gazetarë, intelektualë: me pak fjalë të gjithë ata që nuk i nënshtrohen censurës së institucioneve.
Nuk ka asnjë dyshim se ka patur një “genocid”. A mund të cilësohet me ndonjë fjalë tjetër shfarosja e thuajse një milion e gjysmë armenësh më 1915? Asokohe, Turqia, e cila në Luftën e Parë Botërore ishte aleate e Gjermanisë, dhe tashmë e ndërgjegjshme për shpërbërjen përfundimtare të Perandorisë Osmane, vendosi të kryente një operacion mizor spastrimi etnik, duke ndërmarrë një fushatë të egër. Objektivi ishte i qartë: të eliminohej në mënyrë rrënjësore ajo pakicë dërrmuese e krishterë (një prej më të lashtave), që guxonte t’i kundërvihej pushtetit qendror të gjigantit mysliman.
Një operacion i diktuar me cinizëm të përbindshëm. Dëbimet nisën pikërisht sikurse do të kishte ndodhur, disa dekada më pas, për hebrenjtë. Vetë Adolf Hitleri, më 1939, iu referua shfarosjes së armenëve si një fakt “për të cilin nuk flet më askush”. Shpëtuan vetëm ata që arritën t’ia mbathnin nga qytetet dhe fshatrat më të ekspozuar, që u përpoqën të fshiheshin, apo që u mbrojtën nga ndonjë guximtar “I Drejtë” (kishte shumë të tillë edhe në Turqi), i cili qe i gatshëm të rrezikonte jetën e vet për të ndihmuar viktimat. Në të ëmblin Aleppo, qytetin sirian që tani është thuajse tërësisht i shkatërruar nga lufta e tmerrshme civile, ka një hotel (kushedi nëse i ka ende në këmbë muret) që quhet “Baron” dhe që strehoi në mënyrë klandestine qindra armenë, duke i shpërndarë më pas nëpër shtëpitë e atyre që refuzonin diktatin e pushtetit qendror.
Deri disa vite më parë, në Turqi, ishte një krim tepër i rëndë të flisje, në çdo lloj mënyre, për genocidin armen. Mjaftonte një deklaratë (rasti i Orhan Pamuk), apo një roman (rasti i Elif Shafak) që të denoncoheshe dhe të detyroheshe të përgjigjeshe në gjykatë, si ndonjë kriminel i rëndomtë. Tani që mes Turqisë dhe Armenisë ka njëfarë normalizimi të marrëdhënieve, tensioni është ulur. Kjo falë edhe eliminatoreve të kaluara për në botëror, kur kombëtaret e futbollit u ndeshën dhe krerët e shteteve përkatëse bënë vizita reciproke duke shtrënguar duart.
Studiues të shumtë turq thonë se janë të gatshëm të diskutojnë për atë njollë të përpara njëqind vjetëve (përvjetori është më 24 prill). Shumëkush tashmë e pranon idenë se pati një “masakër sistematike” të popullit armen, edhe pse disa pretendojnë se popullsia armene në territorin turk nuk e arrinte shifrën e një milion personave. Disa shkojnë deri aty sa e pranojnë fjalën “genocid”. Sigurisht, për ndjeshmëritë e Ankarasë, ka qenë si një rrahje me kamxhik thirrja e fortë dhe autoritare e Papa Françeskut, i cili e cilësoi atë armen si genocidin e parë të shekullit të 20-të, i ndjekur nga ai i hebrenjve dhe tani nga ai i të krishterëve të masakruar nga integralistët vrasës islamikë.
Historianë dhe vëzhgues të shumtë ndërkombëtarë kanë dekada që ngrenë pikëpyetje për arsyet e një mohimi të tillë. Ambasadorët dhe këshilltarët e një prej diplomacive më efikasë në botë, sikurse është pikërisht ajo turke, duhej ta kishin për nder të shpjegonin dhe sqaronin kritikat që vërshojnë ndaj Ankarasë. Në diskutim nuk është vetëm problemi gjuhësor apo terminologjik (“genocid” apo “masakër sistematike”?), më shumë sesa një akuzë e fillimit të shekullit të kaluar që iu bë armenëve: atë të të qenit në krah të Rusisë, armikut më të madh të Turqisë. Nuk ka asnjë dyshim se pati çeta ushtarësh të përfshira në Forcat e Armatosura të Moskës. Por e gjithë kjo natyrisht nuk justifikon shfarosjen e një populli. Edhe sot që Armenia është një shtet i pavarur dhe që shërben si një urë mes Euroazisë dhe BE-së, Rusia mbetet gjithnjë në qendër të interesave ekonomike të Erevanit, sikurse shpjegoi presidenti armen dy ditë më parë për “Corriere”-n.
Corriere della Sera
















