Nuk është i pari shqiptar në Hollivud, por Armend Trnava ka një histori jo fort të zakonshme. E ka nisur si futbollist në Prishtinë, për të kaluar në Angli me ekipe si Chelsea dhe Tottenham në moshën 21-vjeçare, e për të kapërcyer oqeanin në kërkim të ëndrrës hollivudiane. Sot ai është një model i famshëm i markave më të mëdha të modës dhe jeton në Beverly Hills me një prej aktoreve të njohura si Alex Menesses dhe zbulon ambiciet drejt kinematografisë.
Ai futbollist dhe ajo aktore. Duket si skema klasike e çifteve të famshëm të biznesit të spektakleve që nuk bëjnë më lajm…Ata janë vërtet një prej çifteve të ndjekur prej paparacëve në rrugët e Los Anxhelosit dhe të Çikagos ku ndajnë ditët e tyre, ai me ekipin “Chicago Fire”, ndërsa ajo me xhirime kinematografike dhe shfaqen shpesh në faqet e gazetave rozë, edhe kur nuk kanë ndonjë lajm për të ndarë…Për publikun shqiptar lajm përbën vetë futbollisti në fjalë, i cili është edhe një prej djemve të lakmuar të markave prestigjioze, i shfaqur në kopertina revistash ndërkombëtare, imazh i kompanive si “Huggo Boss” apo “Burberry” dhe është me origjinë shqiptare. Quhet Armend Trnava dhe prej disa kohësh ka një lidhje dashurie me një prej bukurosheve të Hollivudit, Alex Menesses, e njohur për publikun shqiptar në seriale si “Friends” dhe “Everybody loves Raymond”. Djaloshi nga Kosova rrëfen aventurën e tij drejt famës, nga Prishtina në ndjekje të ëndrrës për t’u bërë futbollist i madh në Britani, ku ka luajtur me ekipet e të rinjve si Chelsea apo Tottenham, për të përfunduar drejt e në kodrat e famës së Hollivudit, ndërsa po tenton të bëjë një driblim nga fushat e blerta në ekranet e televizionit. Ai zbulon planet për martesë me bukuroshen që i ka rrëmbyer zemrën- e cila ka xhelozuar shumë vajza që e kanë parë në faqe revistash apo postera gjigantë nëpër qytete ku ai pozon si model apo e kanë brohoritur në stadiume futbolli- dhe thotë se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë bashkë me Aleksën. Ai u largua nga Prishtina në moshë të vogël. I dashuruar pas topit dhe me të dhëna të mira ëndërronte një karrierë si futbollist. Me të mbërritur në Angli, u fut menjëherë në radhët e Akademisë së Futbollit të Ekipit të Chelsea-s, ndërsa më vonë ka luajtur për disa klube angleze si Queens Park Rangers FC, Tottenham Hotspur FC U- Chelsea FC U, për ekipet nën 21 vjeç.
“Karrierën e kam nisur si futbollist në Angli. Fillimi ka qenë jashtëzakonisht i vështirë, sepse nuk kam pasur ndihmë prej asnjë njeriu, kam qenë fëmijë dhe jam stërvitur shumë për të arritur deri këtu”, – ia nis rrëfimin Armendi. Gjatë fillimeve të karrierës si futbollist fiziku i tij nuk do të binte vetëm në sy të trajnerëve. Shumë shpejt nisën ta kërkonin emra të mëdhenj në fushën e modës, ndërsa djali zeshkan, me buzëqeshje të stampuar dhe shikim misterioz, nisi të pozojë për marka të mëdha që ishin në kërkim të një imazhi me tipare mesdhetare si të tijat. Duke e bërë të kalonte natyrshëm nga futbolli në modeling. “Kalimi nga futbolli në modeling tashmë është bërë si biznes, me thënë të drejtën. Nëse luan si futbollist profesionist në ekipe të mëdha, kompanitë prestigjioze të kërkojnë vetë, nuk ke nevojë të vraposh pas tyre. Të ardhurat që marr nga modelimi shkojnë tre ose katër herë më shumë sesa ato që kam marrë nga futbolli. Si për shembull, Leo Messi, i cili përfiton diku afro 20 milionë dollarë në vit si futbollist, kurse rreth 84 milionë dollarë në vit i përfiton nga të gjitha kompanitë, domethënë 3 herë më shumë nga modelingu, marketingu, reklamat etj”. Armend Trnava ka qenë imazh i “Hugo Boss” dhe ka pozuar në kopertinën e një prej revistave më të famshme për meshkuj në botë si “Men’s health”, ka sfiluar për prestigjiozen britanike të modës së lartë “Burberry” dhe ka pasur një sërë kontratash me marka si “Nice”, “Patric Hellman”, “Tantal”, “Borris Powell” etj. Momentalisht, zbulon se ka kontrata me dy agjenci të ndryshme si “FORD Agency”, një prej më të mëdhave në Amerikë, dhe “Galate Agency”, e specializuar për reklama dhe filma. Është pikërisht modelingu që e ka bërë të famshëm, duke bërë të mbulojë me imazhin e tij ndërtesa të mëdha me postera dhe billboard-e.
Zbulon duke qeshur se në fillim i dukej çudi kur dilte dhe shihte imazhin e tij, ndërsa tani kjo i duket krejt e zakonshme. Ka kaluar nga faza e vetëkënaqjes dhe po shijon atë çka i sjell ky profesion i ri i modelingut, por pranon se nuk ka hequr dorë nga bota e futbollit, pasi vazhdon të luajë me ekipin e “Chicago Fire”, edhe pse i dëmtuar prej disa kohësh nuk i ka ndërprerë stërvitjet. Kur kthen kokën pas nga ditët kur jetonte në Prishtinë, jeta e tij ka ndryshuar kryekëput, duke u shndërruar ndoshta në një versionin mashkullor të Hirushes, që nga një njeri i zakonshëm e gjen veten mes njerëzve të famshëm dhe gëzon një status prej VIP, një status që tashmë e ka fituar edhe nga daljet e tij të shpeshta publike me partneren e tij, aktoren Alex Menneses. Megjithatë, nuk i mungojnë as fanset e veta që i ka krijuar ndër vite, që kur luante në Britaninë e Madhe. Ka shumë atje në Londër që e ndjekin me kureshtje lëvizjet e karrierës së tij dhe ka shumë në Shtetet e Bashkuara që kanë nisur ta njohin dhe ta adhurojnë.
Nga Anglia në Çikago dhe nga Çikago në Los Anxhelos, ku po tenton edhe vetë të tentojë një karrierë të re në televizion, duke qenë se gjendet brenda Hollivudit. “Jeta në Hollivud është shumë e bukur, krejt ndryshe nga shtetet europiane. Këtu i ke të gjitha mundësitë, mjaft të kesh talent dhe të gjendesh me njerëz”, – thotë ai. Njerëzit e duhur ai i ka pranë vetes; një aktore e famshme me të cilët bashkëjeton prej disa kohësh “Me Alex Meneses ka kohë që njihemi, por nuk e kemi bërë publik lajmin. Ajo jeton mes Çikagos dhe Beverly Hills, jemi takuar në Çikago, dhe po vazhdojmë lidhjen tonë. Është një femër shumë e talentuar, është një nga më të bukurat e Hollivudit. Jam me fat që e kam takuar”, – thotë Armendi, duke zbuluar se së shpejti ka në plan të vijë bashke me Aleksën në Kosovë ose në Shqipëri. “Ajo ka shprehur dëshirën të ndihmojë familje në nevojë ose të ndërtojë ndonjë shkollë. Ka shumë dëshirë të bëjë bamirësi për ata që kanë nevojë për ndihmë”, – shton ai. Kur bie fjala te Shqipëria, nuk mund t’i shpëtosh kuriozitetit pse një futbollist që ka luajtur me ekipe prestigjioze të botës si ai nuk është ftuar nga kombëtarja shqiptare e futbollit. Ai qesh duke thënë se nuk do i pranonte kushtet që Federata i ka vënë vite më parë, më 2006-ën, kur mori ftesën e parë. “Pasi në atë kohë më kanë kërkuar para, por unë nuk jap as edhe një dollar nëse bëhet fjalë për t’u bërë pjesë e kombëtares, por mund të kontribuoj dhe ndihmoj me para nëse kombëtarja ka nevojë, por jo të më ftojnë dhe të më vënë kusht të paguaj për të hyrë në kombëtare”. Por kjo duket se nuk e ka shqetësuar fare futbollistin e kthyer në model e së shpejti ndoshta edhe në aktor, pasi Armendi ka nisur tashmë ta ngjisë kodrën e Hollivudit dhe jo më në mënyrë të heshtur, por shumë publikisht, ku nuk lë rast pa u shfaqur në faqet rozë i kapur nga paparacët në krah të aktores bukuroshe.















