Një ngjarje e pazakontë është shënuar paraditen e sotme në Korçë. Një arkivol hekuri është zbuluar në varrezat e qytetit nga punëtorë të cilët kanë qenë duke hapur një gropë për një ceremoni mortore.
Pas konstatimit të arkivolit është lajmëruar salla operative e policisë ku është raportuar se arkivoli mund të kishte lëndë plasëse në brendësi.
Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje efektivë të policisë të cilët më pas kanë konstatuar se në brendësi të arkivolit nuk kishte lëndë plasëse por disa letra me mbishkrime fetare për Allahun por gjithashtu bëhet thirrje që të mos shkohet në protestën e Partisë Demokratike të 22 nentor.
“Allahu është i madhërishëm dhe nuk ka zot tjetër përveç Allahut. Vetëm njerëzit e mire Allahu i merr pranë vetes në Xhenet. O njerëz mos shkoni tek protesta e 22 nëntorit sepse do të bjerë tërmet, sepse Allahu e di se kë zgjedh e di se ke merr dhe se kë le”. Kjo është vetëm një pjesë nga mbishkrimet që “Ora News” ka mundur të sigurojë nga grupi i ekspertëve të hetimit ndërsa personi që kishte shkruar letrat e cilësonte veten si një njeri që udhëhiqet dhe ndriçohet nga drita e Zotit.
Por ndërkaq mbetet enigmë se si ky arkivol ka arritur të futet dhe groposet nëvarrezat e qytetit pa u pikasur nga rojet e varrezës,ndërkohë pritet që pas ekspertizës të zbulohet se kush fshihet pas saj.
Ende nuk dihet se çfarë akuze do të formuloje policia për këtë ngjarje ,pasi personat që kanë kryer këtë veprim nuk kanë dhunuar varret apo të jepnin mesazhe kërcënuese nëpermjet letrave.
















