Ai ka thënë se më shpejt që mbahen zgjedhjet e reja, aq më mirë do të ishte për vendin. “Sa i përket zgjedhjeve konsideroj se sa më shpejtë aq më mirë”, ka theksuar Arifi.
Sa i përket akuzave të kryeministrit Isa Mustafa se zyrtarët e AAK-së janë banditë dhe bosë të kazinove, Arifi ka thënë se kjo jo vetëm që shpreh nivelin e ultë të kryeministrit, por sipas tij, e konfirmon dyshimin nëse është apo jo Mustafa – kryeministër.
Sipas Arifit, po të ishte Kosova një vend demokratik, kryeministri Mustafa do të duhej të ishte përgjegjës për fjalën e tij publike. “Akuzat e kryeministrit për bosa dhe bandita shpreh jo vetëm nivelin e tij të ultë por e konfirmon dyshimin e tij se a është kryeministër apo jo? Shtrohet pyetja nëse ai njeh banditë e bosa kazinosh a nuk ndihet i fortë si kryeministër që të arrestoj ata apo është vet pjesë e sistemit të tillë? Të paktën ministri i tij partiak i brendshëm dhe drejtori i policisë do të mund t’i ndihmonin, nëse ka kush i ndihmon”, ka deklaruar Arifi.
Në këtë intervistë, Avni Arifi, i cili është edhe kryetar i degës së AAK-së në Prishtinë, ka folur edhe për ligjin për Prishtinën.
Ai ka thënë se është skandaloze dhe primitive sjellja e qeverisë Mustafa ndaj ligjit për Prishtinën. “Ligji për Prishtinën është obligim kushtetues i Qeverisë. Të bllokohet ky ligj dhe për inat të qeverisë lokale të dënohet qytetari i Prishtinës është tërësisht sjellje jo institucionale dhe primitive”, është shprehur ai.
Kurse sa i përket qeverisjes në Prishtinë nën drejtimin e Shpend Ahmetit, Arifi ka theksuar se qeverisja me kryeqytetin është shumë më ndryshe sesa qeverisjet e mëparshme. “Ka një përmirësim të dukshëm në raport të ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarit, është një transparencë më e madhe dhe kryesisht një punë më e madhe. Ka shumë hapësirë për përmirësime posaçërisht në zona të caktuara të kryeqytetit ku investimet kapitale janë të dobëta. Po ashtu ka shumë dobësi në aspektin e bashkëpunimit me kryeqytete evropiane. Prishtina do të kishte shumë përfitime në këtë fushë. Ne tash një vit drejtojmë drejtorinë e shërbimeve publike dhe besoj se kjo drejtori është duke bërë punë të mirë”, ka thënë Arifi.
Duke folur për ecurinë e AAK-së në nivel vendi, Arifi ka thënë se është duke ndodhur forcimi i strukturës së AAK-së në tërë Kosovën.






















