Luljeta Progni
Konferenca e jashtëzakonshme e PD e 13 gushtit të vitit 1992, është ngjarja më e rëndësishme në historinë postkomuniste në Shqipëri. Kjo konferencë përcaktoi modelin e organizimit të brendshëm të partive politike në Shqipëri. Aty u paracaktua mënyra se si do të funskiononte demokracia e brendshme e partive politike postkomuniste në Shqipëri. PD, si forca kryesore politike e kohës, e cila u themelua nga studentët e dhejtorit, pas revoltës që rrëzoi sistemin komunist në Shqipëri, nisi të funsksionojë me modelin e antidemokracisë.
Në atë konferencë u përjashtuan ata që mendonin ndryshe. Pikërisht aty dhe atëherë u përcaktua se kundërshtari e ka vendin jashtë partisë. Në atë konferencë u përcaktua se mendimi ndryshe nuk do të merrte kurrë peshën e duhur brenda partive politike në Shqipëri.
Konferenca e jashtëzakonshme e PD-së, e zhvilluar në 13 gusht të vitit 1992, vjen pas zhvillimeve dinamike në parti. Disa prej personaliteteve kryesore të listës së themeluesve të PD-së u përjashtuan dhunshëm nga Partia Demokratike. Gramoz Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj, Arben Demeti, Edmond Trako, Ridvan Peshkëpia e të tjerë, ishin grupi i quajtur Mocionistët, të cilët u përjashtuan nga Partia Demokratike, më pak se dy vjet pas themelimit të kësaj partie. Por, në atë conference, u godit po kaq dhunshëm edhe simboli i PD-së, lideri i lëvizjes studentore dhe kryetar i parë i saj, Azem Hajdari. Ai shpëtoi nga përjashtimi në një situatë mjaft komplekse zhvillimesh disaditore, intensive, brenda partisë që asokohe ishte shpresa e shqiptarëve për demokraci.
Debati mes Azem Hajdarit dhe atyreqë po drejtonin konferencën dhe që ishin të udhëhequr nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha, zë një pjesë shumë të rëndësishme të punimeve të kësaj konference. Debati i Pashkos, Imamit, Trakos, Demetit, Shahin Kadaresë e të tjerë me drejtuesit e konferencës janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e konferencës.
Fjalimi i Gramoz Pashkos dhe ai i Azem Hajdarit lanë gjurmë tek të gjtihë të pranishmit në atë sallë ku u vendos antidemokracia në partinë Demokratike.
Dhuna në vënd të demokracisë, e shfaqur në atë mbledhje të rëndësishme, u kthye në model jo vetëm për PD-në, por edhe për partitë e tjera, model me të cilin funsksionojnë edhe sot partitë politike.
Në ditët në vijim do të botojmë pjesë nga libri “Pardesytë e Bardha”, ku pasqyrohet fjalime të plota të Hajdarit, Pashkos, Imamit e të tjerëve.
Në ciklin e këtyre botimeve do të pasqyrohet thuajse e plotë konferenca e jashtëzakonshme e 13 gushtit 1992, por edhe mbledhje të tjera që ishin pararendëse të këtij momenti.
***
Konferenca e jashtëzakonshme e PD e 13 gushtit të vitit 1992. Përjashtimi i themeluesve nga Partia Demokratike
Ndarja e themeluesve
Kishin kaluar vetëm pak ditë prej datës 26 korrik 1992, kur PD-ja humbi zgjedhjet lokale. Vetëm tre muaj pasi fitoi thellë zgjedhjet parlamentare të 22 marsit, PD-ja humbi betejën me socialistët në zgjedhjet lokale. Janë një sërë faktorësh që renditen si arsyet për këtë humbje, ndër të cilat dhe më kryesoret: efekti i reformave, papunësia dhe varfëria. Por, edhe problemet brenda Partisë Demokratike, do të etiketoheshin si një ndër arsyet kryesore të humbjes në këto zgjedhje dhe pikërisht nga krahu i fortë në PD, ai i presidentit Berisha. Një grup drejtuesish të partisë, madje pjesa kryesore e themeluesve të PD-së ishin pozicionuar kundër krahut të Berishës. Ata nuk u angazhuan intensivisht në këtë fushatë, madje disa prej tyre botuan artikuj kritikë ndaj lëvizjeve që po ndodhnin qoftë brenda PD-së, por edhe kundër qeverisjes së saj.
Gramoz Pashko, Arben imami, Arben Demeti, Edmond Trako, Preç Zogaj e të tjerë, bashkë me Neritan Cekën, i cili ishte larguar më herët nga PD-ja, ishin formësuar si grupi kritik ndaj krahut të Berishës. Disa prej tyre hartuan një mocion:”Për një qëndrim realist ndaj rezultatit të zgjedhjeve lokale”. Mocioni u publikua në mbledhjen e këshillit kombëtar të PD në datë 5 gusht 1992.
Mocioni
Mocioni i firmosur nga Arben Imami, Arben Demeti, Perikli Teta, Prec Zogaj, Edmond Trako e Ridvan Peshkëpia, rendit disa problematika në funksionimin e PD si dhe ndaj qeverisë së drejtuar prej saj. Të përmbledhura në pika, kritikat e mocionistëve janë si më poshtë: a) Mospërgatitja tërësore në zgjedhjet e 22 marsit; b) Keqpërdorimi i pushtetit; c) Banalizimi i pushtetit; d) Nepotizmi; e) Funksionimi i shtetit juridik, si dhe elemente të tjerë. Duke analizuar një pas një problemet e renditura në këto pika, hartuesit e mocionit i kërkuan forumeve të larta drejtuese të PD-së: 1) Të diskutohet në të gjitha nivelet e partisë rreth problemeve të pasqyruara në këtë mocion; 2) Të thirret kuvendi i jashtëzakonshëm i PD pas diskutimeve në seksione dhe këshillat e degëve, dhe në këtë mbledhje të kuvendit të ftohen përfaqsues të partive të djathta evropiane, si garanci për transparencë; 3) Të ristrukturohet partia mbi baza demokratike dhe të mbahet qëndrim ndaj fraksionit nepotik;4) Gazeta RD ti hapë rrugë diversitetit të mendimit në PD; 5) Ti rikthehemi programit të dhjetorit 1990: a) Për një politikë integrimi të popullit shqiptar në sistemin demokratik; b) Për paqe e drejtësi sociale duke hequr dorë nga teza komuniste e përgjegjësisë kolektive; c) për një kulturë dhe etikë të re politike, larg skemës komuniste “të armiqve”; d) Për ndarjen e partisë nga shteti, kundër partitokracisë.
6) Të mbështetet qeveria Meksi duke e rinovuar atë nëpërmjet zëvëndësimit të të paaftëve; 7) Qeveria të paraqesë sa më shpejt programin e reformës administrative dhe të ndreqë me kujdes gabimet e bëra; 8) Të mbrohet shteti ligjor. Të mbrohet pjesa natyrore e shtetit (gjykata, prokuroria e rendi), të goditet para opinionit publik çdo abuzim ndaj saj; 9) të luftohet për informim real e profesional; 10) të rishikohen në parlament ligjet, blanket që cënojnë të drejtat themelore të qytetarit e që janë antikushtetuese. Edhe pse mocionistët u fajësuan si përgjegjës për humbjen në këto zgjedhje, ata kërkuan përgjegjësitë tek lidershipi i PD-së për humbjen në zgjedhjet lokale. Mocioni u paraqit në mbledhjen e këshillit kombëtar të PD-së në datën 5 gusht 1993.
Në këtë debat mes palëve, përveç analizës së zgjedhjeve përfshihet edhe kritika e mocionistëve për dominimin e drejtimit të partisë nga grupi i cilësuar prej tyre “ekstremist”. Ishte fjala për angazhimin në forumet drejtuese të PD-së të disa prej përfaqësuesve nga shtresa e ish të përndjekurive politikë: Pjetër Arbnori, Tomor Dosti e Leka Toto. Emrat e këtyre, që në atë kohë ishin bërë pjesë e forumeve të larta drejtuese të PD-së, u kthyen në mollë sherri ndërmjet dy grupeve kundërshtare në PD, debat që kulmoi pak ditë më pas në konferencën e jashtëzakonshme të 13 gushtit.
Ish-të përndjekurit si pretekst për debatin Brenda PD
Kundërshtitë brenda PD-së, nuk lidheshin me ish të përndjekurit politikë. Lufta për pushtet brenda Partisë Demokratike kishte nisur herët, bashkë me historinë e saj të themelimit. Atëherë kur ish-të përndjekurit politik nuk ishin në PD. Ata mbetën jashtë të gjitha skemave, erdhën në PD shumë vonë, kur gjithçka kishte marrë drejtimin e vet. Ata ishin vetëm preteksti për debatin e 5 gushtit 1992.
Sidoqoftë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, debati për të përndjekurit politikë zuri një pjesë kryesore. Në gazetën Rilindja Demokratike, në artikujt e datës 6 gusht 1992 dhe 7 gusht 1992, jepen detaje rreth debateve të zhvilluara në atë mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD-së, e cila vijon më pas me mbledhjen e konferencës së jashtëzakonshme të PD-së, nga ku dhe u përjashtuan mocionistët.
“Demokratët sezonalë”, “Edhe toleranca e durimi kanë kufi”, “Demokratë me fjalë, agjenturë e PS-së me vepra”, janë titujt e artikujve kryesorë të RD-së, ku dhe evidentohet qartë fryma me të cilën u zhvillua mbledhja e këtij forumi. Pa shumë komente, artikulli ribotohet i plotë, pasi aty jepen të qarta detajet e luftës ndërmjet grupeve kundërshtare dhe mënyra se si zhvillohet kjo betejë.
Mbledhja u drejtua nga kryetari i PD-së Eduard Selami, përkrah të cilit gjendeshin drejtuesit e tjerë të PD-së, por edhe presidenti Berisha. Në panel bashkë me Selamin e Berishën ishte edhe Arben Imami, i cili mbante deri atëherë postin e nënkryetarit të PD-së, Tomorr Dosti si sekretar i PD-së dhe Aleksandër Meksi, anëtar i këshillit kombëtar të PD-së. Duke iu referuar këtij pasqyrimi në median zyrtare të PD-së, që në fillim të aktivit, Berisha qartësoi situatën. Ai akuzoi menjëherë Imamin bashkë me të tjerët si aleatë të socialistëve.
Numrin tjetër publikohet i plotë artikulli i gazetës “Rilindja demokratike” për mbledhjene Këshillit Kombëtar të PD në 5 gusht 1992.

















