Ansambli i Kosovës “Shota” do të zhvillojë sonte në mbrëmje në ambientet e TOB një koncert me këngë dhe valle tradicionale shqiptare. Ky koncert është organizuar me rastin e festimeve të ditës së flamurit, si dhe në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për kalendarin e përbashkët kulturor, i cili është miratuar në takimin ndërministror midis dy ministrive të Kulturës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës gjatë muajit shkurt të këtij viti. Gjatë 38 viteve të aktivitetit të tyre, pasi ka organizuar mbi 4000 koncerte në të gjitha meridianet e botës, ansambli “Shota” vjen tashmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, ku nën udhëheqjen artistike të Ylber Asllanaj, koropetitorit Nazmi Demaj, dhe udhëheqësit të orkestrës Fitim Bytyqit, do të interpretojë këngë dhe valle të trevave shqiptare. Për nder të këtij jubileu është botuar dhe një monografi për ansamblin “Shota”, është publikuar një film dokumentar si dhe është mbajtur një akademi solemne, në të cilën janë nderuar të gjithë personalitete që kontribuon që “Shota” të arrijë aty ku është sot. Themeluar në vitin 1948 si njëri ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngës dhe valles shqiptare si dhe me afrimin e vlerave të mirëfillta kulturore kombëtare, siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike me të cilat ky ansambël është prezantuar në më se 50 shtete të ndryshme të botës dhe në të gjitha kontinentet. Ansambli po ashtu është fitues i disa çmimeve kombëtare e ndërkombëtare. Ndërsa në mars të vitit 1964 me vendim të Kuvendit të Kosovës “Shota” e fiton statusin e ansamblit profesionist sikurse edhe tri ansamblet tjera në Jugosllavi: “Llado” – Zagreb, “Kollo”- Beograd dhe “Tanec”- Shkup. Para se të vinte në Tiranë ansambli “Shota” dha disa koncerte në qytete të tjera në Kosovë, ndërsa data 27 nëntor do ta gjejë në skenën e Gjilanit. – See more at: http://www.sot.com.al/kultura/%E2%80%9Cshota%E2%80%9D-sjell-k%C3%ABng%C3%ABn-dhe-vallen-shqiptare-sonte-n%C3%AB-tob#sthash.i0XgKmFr.dpuf
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...

















