Gjithësecili nga ne që ka mbetur në këtë pëllëmbë vendi të Ballkanit, gjithsecili shqiptar, e do krenarinë, do që ta ngrejë kryet lart e të rrahë gjoks pse është e kush është. Demek krenohet me vlerat që i ka trashëguar nga të parët e tij. Mirë. Po këtu është një hall: shqiptarët ende nuk janë ulur të merren vesh njëherë e përgjithmonë se cilat janë vlerat e tyre, cilat janë ato vlera që u japin shans, që u japin mundësi për t’u hapur shtigje të sigurta fëmijëve të tyre, nipërve të tyre, stërnipërve të tyre, cilat janë ato vlera që na bashkojnë si komb dhe na bëjnë të ndryshëm nga popujt që na rrethojnë.
Pas shpartallimit të Jugosllavisë dhe themelimit të shteteve të reja ballkanike, pas rënies së diktaturës gjakpirëse komuniste në Shqipëri, nisën të hetohen disa xixa ose më mirë disa gaca të imta nën hi që çonin sinjale shprese se më në fund shqiptarët do të dalin të bashkuar në hapësirën e lirisë, të cilën e gjakojnë dhe të cilën e meritojnë. Për fat të keq gjatë këtyre decenieve që na ikën shpejt, gjatë kësaj kohe që nuk është e shkurtër për një brez dhe për një komb të gjitha shpresat për këtë ideal na rrëshqitën duarsh dhe na ranë në ujë. Na u duk thuajse e patëm ngjalën në duar, po na iku sa çel e mbyll sytë e u tret në thellësitë dhe në rrjedhën e shpejtë të lumit. Mbetëm të habitur dhe në vend të shanseve që duhej t’i shfrytëzonim nisën të na grumbullohen problem pas problemi. Befasi pas befasie. Në fillim të gjitha këto ishin të paparashikueshme, kurse më vonë ishin plotësisht të parashikueshme. Por ç’e do! Njëherë nuk e dinim se si do të zhvilloheshin gjërat nga shkaku se aq shumë na kishte lodhur komunizmi, sa ishte rrënjosur një bindje e thellë në kokën e secilit se komunizmi do të jetë fati dhe fatkeqësia jonë e amshueshme. Kur e pamë se nuk është ashtu, e vërejtëm dëmin: se jemi vonuar. E vumë re se jeta ishte një garë vrapi me të tjerët. Se kërkonte ndryshime, reforma të shpejta në çdo lëmë: në ekonomi, në kulturë, në marrëdhëniet shoqërore, në marrëdhëniet fetare dhe ndërfetare brenda kombit. Duke shikuar rreth e rrotull ne ofshamë dhembshëm sepse ishte e qartë se në këtë vrapim të gjithë kishin ikur larg prej nesh, se na kishin lënë prapa. Se neve na priste një punë e mundimshme. Për ndryshim nga ne ata e kishin pasur të qartë se njëherë ndërtohen themelet e kombit, pastaj punët tjera bëhen më lehtë. Se bima mbillet me rrënjë në tokë, jo me degë.
Te ne ndryshimet, reformat që duheshin bërë gjithandej, na gjetën të varfër, me inteligjencie të ndjekur e të persekutuar deri në paskaj, na gjetën me një inteligjencie që e kishte trurin e shpërlarë mirë e mirë, kështu që nuk patëm njerëz të cilët do të qëndronin në ballë të ekipit tonë të garës ballkanike. Të gjithë jetonim në një frikë të paparë për ekzistencën e familjes dhe të sigurimit të një jete të denjë për të. Nuk kishte një energji kombëtare e cila do të kujdesej që të mos ndodhin këto gjëra, krahas dy akademive të shkencave, krahas dy asociacioneve të shkrimtarëve, krahas dy vendeve që duhej të kishin ekspertë të ekonomisë që mund ta nxirrnin kombin nga letargjia e nga mjerimi ekonomik. Asnjë nga këto institucione nuk doli të na prijë drejt vlerave të reja kulturore, ekonomike, politike e kombëtare që duhej të pranoheshin dhe që imponoheshin.
Derisa të tjerët ecnin me ngut, ne mbetëm me gishtin në gojë dhe lejuam që në ballë të ekipit tonë në garën politike midis popujve të vihen njerëz që në shumicën e herave i shfrytëzuan apetitet e tyre për t’u pasuruar. Kështu erdhëm në një derexhe që fshatrat e qytetet shqiptare në mbarë hapësirën etnike të zbrazen nga pjesa më e mirë e popullsisë. Nga të gjitha fshatrat e nga të gjitha qytetet iki ajo pjesë e shqiptarëve te e cila mbështetej shpresa për rilindjen ekonomike, politike e kulturore e fetare të vendit. Na ikën shkrimtarët më të mirë, piktorët më të mirë këngëtarët më të mirë, baletanët më të mirë, inxhinierët më të mirë, punëtorët më të mirë, profesorët më të mirë, regjisorët më të mirë, aktorët më të mirë, mësuesit më të mirë. Pastaj fqinjët u kujdesën që të na e plotësojnë këtë boshllëk. Në vend të tyre i sollën klerikët më të mbrapshtë për ne, por më të aftë për ta. Filluan të prishen faltoret e traditës dhe në vend të tyre ngriheshin kupola arabe, greke e të tjera.
Qytetet tona pastaj nisën të shfytyrohen nga ndërtimet e egra, nga dhuna e injoranca politike, pasuria jonë ra me të madhe në duart e të huajve dhe të dorës korruptive, arsimi u shkatërrua dhe më vend të tolerancës fetare të cilën e kemi pasur gjithmonë si vlerë e të cilën kishin vënë re si të tillë dhe e kishin lëvduar edhe intelektualët më në zë evropianë që nga Bajroni e deri disa udhëpërshkrues me nam në prag të Luftës së dytë botërore. Fatkeqësisht u shfaq e tmerrshme, ngriti krye si gogol, urrejtja ndërfetare, e paraqitur përmes gojës së politikanëve, përmes penës së gazetarëve dhe të intelektualëve dhe përmes polemikave pakuptimta midis shqiptarëve për tema koti, ku disa i mbronin praktikat fetare të Somalisë, disa të Idi Aminit, disa të tjerë Greqisë e disa të Sudanit jugor a të Spanjës, bie fjala. Por asnjëra palë nga partitë politike nuk kujdesej për interesat tona të përbashkëta kombëtare.
Faqet e gazetave e mediat elektronike i ke edhe sot për çdo ditë plot e përplot me grindje të këtyre natyrave, me qërime hesapesh midis partive, me lajme të zymta e gjysmë të vërteta, me akuza, me ngjarje surrealiste parazgjedhore e zgjedhore. Dhe cili do të kishte qenë përfundimi i këtij shkrimi në të cilin jepet një përshkrim i skenës sonë jetësore që e kalojmë në absurd? Përfundimi është: të zgjohemi nga gjumi, ta ndërpresim këtë ankth që po na mundon me decenie. Të veprojmë së bashku. Për të mirën tonë. Por edhe për të mirën e rajonit. Dhe, përfundimisht ta dimë cilat vlera janë ato që na ofrojnë prosperitet e siguri nën ombrellën evropiane ku kemi jetuar me mileniume e ku jemi të detyruar të jetojmë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”















