Ilir Meta mendon se ka ardhur ora e tij. I sapokthyer nga Amerika, kreu i Kuvendit, i etiketuar për një kohë të gjatë si një armik i reformës, si kundërshtar i ngritjes së prokurorisë dhe gjykatës speciale antikorrupsion, si mbështetës i kryeprokurorit aktual, Meta po kërkon të fitojë pikë tek ndërkombëtarët. Duke u shndërruar me “qetësi dhe dashuri” në faktor stabiliteti.
Pas dështimit të takimit Rama- Basha, Ilir Meta, ka nisur lëvizjet e tij për të arritur një konsensus me opozitën sa i përket çështjes së reformës në drejtësi.
Meta i ka dërguar së fundi një letër kreut të PD-së, ku i kërkon takim për të diskutuar mbarëvajtjen e fazës përfundimtare të miratimit të reformës dhe për të përcaktuar kalendarin parlamentar për miratimin e saj.
Ai kështu jep shenjën se është kundër vullnetit të Ramës për ta shpënë draftin pa konsensus drejt Kuvendit. Ai thuhet se gjithashtu i ka premtuar Berishës se nuk do të votojë një “reformë me vota të vjedhura”. Ai është i pari që ka deklaruar kundër Ramës dhe ndërkombëtarëve se ai do të votojë vetëm një reformë të pranuar edhe nga PS edhe nga PD.
Kështu që apeli i tij për takim me Bashën ka ringritur pikpyetjet: Meta është futur në lojë për të ruajtur statsus quo-në, pra që edhe të dalë pozitiv me ndërkombëtarët edhe ta dështojë reformën si pasojë e mosvotimit të opozitës?
Apo ai vërtet ka ndryshuar realisht mendje dhe do angazhohet për të bindur opozitën që të votojë, duke u përpjekur kështu të zbehë “dosjen e zezë” që ekziston për të në Bruksel dhe Uashington?
Nga ftesa e sotme zor të vihet bast për njërin nga opsionet. Ajo që thuhet me siguri është se pas takimit Rama- Basha kryelësëisti ka vendosur të marrë një rol protagonisti.















