Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç një ditë më parë është takuar me 5 ambasadorë të rëndësishëm në Beograd, para të cilëve ka shprehur shqetësimin e tij për takimin e tensionuar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Vuçiçi, që shoqërohej nga Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, është takuar me ambasadorin amerikan Majkëll Kirbi, atë gjerman Hajnc Vilhelm, atë britanik Denis Kif, atë franceze Kristinë Moro, atë italian Xhuzepe Manx dhe atë të Bashkimit Europian, Majkëll Davenport.
Sipas televizionit serb “B92”, ambasadorët kanë dalë me një deklaratë të përbashkët duke e cilësuar vizitën e Ramës në rajon si historike dhe një hap të madh për bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë e rajonit.
Vuçiç dhe mediat serbe prisnin që nga ky takim të kritikohej qëndrimi dhe deklaratat e kryeministrit Rama, por diçka e tillë nuk ndodhi.
Para takimit me diplomatët ndërkombëtarë, Vuçiç tha: “Dua të shoh se çfarë mendojnë, nëse kanë ndonjë gjë kundër Serbisë. A treguam apo jo mikpritje, a i ofenduam apo jo, thamë ndonjë fjalë të rëndë që miku ynë nuk e priste, apo mbrojtëm integritetin, krenarin dhe sovranitetin e atdheut tonë?”.