Ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka marrë ditën e sotme titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Çorovodës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, deputetë të Kuvendit, Prefekti i Qarkut të Beratit, Selfo Kapllani, Kryetari i Bashkisë së Çorovodës, Nesim Spahiu, drejtues vendorë si dhe qytetarë të shumtë.
Në fjalën e tij, ish-Presidenti Alfred Moisiu e konsideroi këtë titull një nder të madh. “Më duhet të them se në jetën time kam marrë shumë vlerësime, qoftë brenda vendit, qoftë edhe jashtë vendit, por me thënë të drejtën jam impresionuar dhe surprizuar shumë me këtë rast, jo vetëm për ceremoninë kaq të bukur dhe madhështore që bëtë, por edhe për faktin se ky titull më jepet në emër të qytetarëve të Çorovodës”, – tha ish Presidenti. Ai deklaroi se skraparlijtë i respekton dhe i nderon prej kohësh për fisnikërinë, trimërinë, burrërinë, patriotizmin dhe ruajtjen e traditave. “Njëkohësisht mendoj dhe kështu është, që ky vlerësim nuk është thjesht për mua, por është për të gjithë familjen Moisiu, ku po përmend dhe Gjeneral Spiro Mosiun që gjatë luftës njihet nga të gjithë”, tha z. Moisiu.
















