“Italia do i jap mbështetjen e saj Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE”. Kështu ka deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme italian Angelino Alfano gjatë takimit të tij sot me homologun shqiptar, ministrin Saimir Tahirin. Më etj ai shtoi se Italia do lobojë pro marrjes së statusit për Shqipërinë.
Forcimi i bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të drogës, mes Shqipërisë dhe Italisë ishte një tjetër temë diskutimi mes Ministrit Tahiri dhe homologut italian Alfano.
Ministri i Brendshëm i Italisë u shpreh shumë i impresionuar nga rezultatet e policisë shqiptare në këto muaj. Dy ministrat, në takimin e tyre kokë më kokë, ranë dakord për të forcuar më tej bashkëpunimin në luftën kundër trafikut të drogës.
Italia është e gatshme të ofrojë asistencë për luftën kundër kultivimit të drogës. Ministri Tahiri u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar për një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni, duke theksuar se siguria e një vendi do të thotë edhe më shumë siguri për gjithë vendet fqinje dhe rajonin.
Ministri Tahiri e ftoi ministrin Italian për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u mirëprit nga ministri Angelino Alfano dhe kjo vizitë do të realizohet së afërmi. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi pati takime me drejtues të lartë të Policisë italiane, ku u diskutuan aspekte të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve në të dy anët e kufirit.













