Ish-deputeti shqiptar Mark Frroku, i cili ndodhet në qeli dhe po gjykohet në Shqipëri për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë në vitin 1999 ka folur sot para Gjykatës në lidhje me hetimin pasuror që po zhvillohet gjithashtu ndaj tij.
Duke folur për këtë çështje, Mark Frroku ka deklaruar se të gjitha pronat e tij i ka ndërtuar me djersë. Ai madje kërkoi që një grup ekspertësh të pavarur të hetojnë dhe të kontrollojnë pasurinë e tij.
“Ekspertët e pavarur të hetojnë mbi pasurinë time. Unë jam një tatimpagues i rregullt”, është shprehur ish-deputeti Frroku.
Avokati i tij mbrojtës kërkoi javën e kaluar që Mark Frroku të përfitonte gjykim të shkurtuar, në mënyrë që t’i ulet 1/3 e dënimit kur Gjykata të japë vendimin.















