Dy shokë, Julian Adili 29 vjeç nga Korça dhe Nertil Latifi 32 vjeç nga Elbasani, kanë humbur jetën mëngjesin e djeshëm në një aksident, ndërsa ktheheshin nga një dasmë ku kishin marrë pjesë.
Mësohet se dy të rinjtë ishin bërë pjesë e një gëzimi të përbashkët në fshatin Floq dhe në orët e para të mëngjesit janë nisur për në shtëpitë e tyre në Korçë dhe në Elbasan. Makina ishte e Voltis Sollakut nga Korça. Sipas policisë, shpejtësia tej normave të lejuara, por edhe errësira në rrugë dhe mungesa e sinjalistikës dyshohet se kanë çuar në daljen e automjetit me targë AA864 DR nga rruga, ndërsa dy shokët udhëtonin në aksin rrugor Korçë-Ersekë. Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Dvoran, ku mjeti doli nga rruga dhe është përmbysur e rrokullisur disa herë.
Njëri prej të rinjve, Julian Adili, mësohet se ndërroi jetë në vend, ndërsa Nertili menjëherë pas mbërritjes në Spitalin e Korçës. Konsumimi i alkoolit gjatë dasmës duket se ka qenë shkaku kryesor që çoi në këtë aksident fatal për jetën e dy miqve.
Ndërkohë, një tjetër aksident është shënuar në Lushnjë, me një viktimë. Një kalimtar ka humbur jetën në një aksident rrugor në aksin Lushnjë-Plug. Viktima është Bashkim Asllanaj, 63 vjeç. Drejtuesi i mjetit, Krenar Kaçe, e dërgoi në spital, por rrugës Asllanaj humbi jetën. Mësohet se viktima u përplas sapo doli nga tokat bujqësore në rrugë.
















