Një çift bashkëshortësh nga Velipoja i kanë shpëtuar për mrekulli përplasjes nga një automjet që drejtohej nga një 45-vjeçar i cili ishte në gjendje të dehur.
Një makinë tip Benz me targa AA 377 JX me drejtues Kastriot Arapin, 45 vjeç, banues në Tiranë, ka përplasur një motoçikletë me drejtues shtetasin N. M., 33 vjeç, si dhe pasagjere bashkëshortja shtetasja F. M., banues në fshatin Reç, Velipojë.
Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Velipoje-Shkodër. Përplasja ka qenë e rëndë për çiftin e bashkëshortëve të cilët kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme në pjesë të ndryshme të trupit.
Pasi ka kryer aksidentin drejtuesi i automjetit jo vetëm që nuk është ndaluar për t’iu ardhur në ndihmë të aksidentuarve, por ka tentuar ti ikë edhe policisë. Kjo e fundit falë postbllokut të ngritur në fshatin e Trushit 10 km larg vendit të ngjarjes ka ndaluar automjetin që shkaktoi aksidentin dhe ka bërë shoqërimin e drejtuesit te automjetit 45- vjeçarit Arapi.
Sipas policisë 45-vjeçari në momentin e shoqërimit ka qenë në gjendje te dehur. Ndërkohë çifti i aksidentuar është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ku edhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.