1 korriku është dita edhe kur zyrtarisht Agjencia Kosovare e Akreditimit, do të dalë me rezultate përfundimtare sa i përket akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, qoftë atyre publike, qoftë atyre private.
Sipas zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, janë 194 programe të studimit në të tri nivelet, bachelor, master dhe doktoratë, sa kanë aplikuar për akreditim.
Derisa viteve të kaluara ka pasur pakënaqësi të mëdha, sidomos nga kolegjet private në lidhje me akreditimin e programeve të tyre, burime të Gazetës Blic të afërta me Agjencinë Kosovare të Akreditimit kanë thënë se edhe këtë vit do të jetë thuajse situatë e njëjtë.
“Programet më së shumti do t’u akreditohen atyre kolegjeve që kanë afërsi me partinë në pushtet, pra afërsi me PDK-në. Edhe gjatë viteve të kaluara akreditimi ka shkuar jo në bazë të kushteve dhe programeve që kanë ofruar kolegjet, por në bazë të lidhjeve partiake, ose në forma tjera”, ka thënë ky burim.
Ndërkohë, javë më parë disa prej drejtuesve të kolegjeve private kanë paralajmëruar padi ndaj Agjencisë Kosovare të Akreditimit, në rast se atyre do t’u bëhet e padrejtë. Ata janë shprehur shumë të pakënaqur me punën e kësaj agjencie.
Madje, disa prej tyre në kushte anonimiteti kanë shprehur dyshime edhe në lidhje me mundësinë e dallavereve të mëdha që mund të bëhen nga drejtuesit e AKA-së.
Sidoqoftë, mediat kanë raportuar se drejtuesit e AKA-së janë nën hetime nga organet e drejtësisë nën dyshimin për dallavere me akreditimin e programeve të ndryshme të kolegjeve private.
Kontakti me drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Akreditimit, si me Ferdije Zhushi-Etemi ashtu edhe me Basri Mujën, ka qenë e pamundur.
Në AKA kanë arritur 194 aplikacione për programe, prej të cilave 114 programe bachellor, 79 master dhe 1 të doktoratës e cila është nga UP-ja.

















