Kryeprokurori: Do të zbatojmë dekriminalizimin, gati të verifikojmë cilindo
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka rikonfirmuar edhe njëherë nga Elbasani se procesi i dekriminalizimit të sferave më të larta të shtetit shqiptar do të vazhdojë. I pyetur nëse do të ketë emra konkretë politikanësh, pushtetarësh apo deputetësh, Llalla u përgjigj se sapo është krijuar struktura e posaçme dhe javën që vjen nis procesi verifikimit.
Sipas tij, ndryshimet në prokurori kanë ardhur pas konstatimeve në analizën e punës njëvjeçare. “Ndryshimet në stafin drejtues të institucionit tonë janë normale. Ato bëhen në funksion të organizimit më të mirë të punës, rifreskimit të stafeve drejtuese që është normale në funksionimin e institucioneve. Ndryshimet janë bërë pas analizave vjetore që ne bëmë në të gjitha prokuroritë e vendit”, thotë Llalla.
Sipas tij, në ato prokurori ku u konstatuan problematika normalisht iu kërkua drejtuesve që të largoheshin. “Në disa të tjera, vetë drejtuesit ishin koshientë dhe dhanë dorëheqjen për drejtimin e institucioneve. Zgjodhëm drejtuesit më të përshtatshëm, përzgjedhje që kalon në një sërë filtrash në Prokurorinë e Përgjithshme në stafet tona, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore në Këshillin e Prokurorisë etj.”, tha kryeprokurori.
Llalla foli edhe për ngritjen e strukturës për verifikimin e pastërtisë së zyrtarëve të lartë. Ai tha se javën e ardhshme do të vijojë puna. “Tashmë ne sapo kemi krijuar strukturën e posaçme dhe javën që vjen do të vijojë procesi i verifikimit, të tjerat do të varen në varësi të rezultateve”. Kryeprokurori Adriatik Llalla ishte në Elbasan për të parë punimet për godinën e re të prokurorisë në këtë qytet, për të cilën theksoi se po u jepet “rëndësi kushteve për ushtrimin e detyrës”.
















