Admir Përvathi u jep ngjyrave emërtim ndjenjash. Nuk merr përsipër të informojë. Ai ka si qëllim të çlirojë energjinë krijuese, duke kompozuar kështu një simfoni ngjyrash.
Provon dhe riprovon derisa të shfaqet imazhi që ai e nxjerr nga ëndrrat…
Nga Suadela Balliu
I derdh bojërat mbi tavaloz dhe ashtu, të bashkuara në një përzierje ende të patrajtë si të dashuroheshin në natën e errët i lë të ndërveprojnë, e kur të ketë ardhur agu, të ketë përftuar atë…nuancën që i përvijohet ethshëm ëndrrave ia ka trazuar shpirtin për të marrë krahë lirie vetëm kur hidhet mbi tablo…Dita nuk mund të nisë veçse ashtu, me gishtërinjtë e zhytur në ngjyrën e re, që ngjan me një krijesë të sapolindur. Prekja e butë për piktorin shndërrohet në sy.
Orët që ikin kuptohen vetëm nga ndryshimi i vendosjes së diellit dhe dritave që përthyhen e përvidhen në studio, ndërsa piktori në studio ka vetëm një mision; ta zbrazë brendinë e trazuar në forma e trajta të mistershme deri kur ajo të ushtrojë pushtetin hipnotik dhe rolet të shndërrohen; krijuesi bëhet dishepull ndërsa vepra zot i të gjitha shqisave.
Vetëm pasi t’i ketë kaluar si një ritual shenjtërimi me orë e orë të tëra i mbërthyer përballë saj, atëherë po, e di se ajo është gati për të mbërthyer shikime e shpirtra të tjerë.
E kuqja e pasionit, bluja e intensitetit, jeshilja e një fuqie të errët, e zeza mistike, e verdha energjike, e bardha e paqtë janë fjalët e tij, ndërsa format, ato abstraktet, surrealet, që sikur zbresin nga një botë gjysmë shpirtrash e gjysmë mitesh, janë ura. Ura që e rrëmbejnë kundruesin nga sallat e zbrazëta me ndriçim të ftohtë dhe e transportojnë në botën e krijuesit të tyre, duke e zbritur sërish në tokë, por me emocione të tjera. “Unë po bëj një përpjekje. Një përpjekje për t’u shprehur me gjuhën e artit. Dua që tabloja e dalë nga duart dhe frymëzimi im, të jetë mishërim i ndjenjave dhe emocioneve të mia. Të jetë sintezë e një akumulimi të ndodhur te unë për vite me radhë” –kështu e përshkruan piktori Admir Përvathi për veprën e tij, pak ditë pas ekspozimit të dy prej pikturave të tij në Bienalen e Torinos, “Stemperando”, e cila si stacion të dytë të saj kishte pikërisht kryeqytetin shqiptar.
Thirrjes së vendit fqinj, ku morën pjesë edhe 18 piktorë të tjerë shqiptarë, iu përgjigj me dy tablo të punuar enkas për ngjarjen, e cila në thelb kishte “tretjen” e butë të ngjyrave.
Në pikturën “ Gjethet e vjeshtës”, një kompozim i gjallë që për nga intensiteti dhe përzgjedhja e ngjyrave të krijon përshtypjen se është ende në lëvizje, piktori rrëfen se ka zgjedhur pikërisht të luajë lojën e ngjyrave. Kështu ai bëhet përkthyesi mes veprës dhe lexuesit, me një gjuhë që përçon vetëm ndjeshmëri dhe emocione. Piktura e dytë, e titulluar “ Natë me borë” ishte një vorbulle errët, e fshehur pas butësisë së elementit të bardhësisë.
“Kam sjellë atë lojën kreative ku shpreh momentet emocionale në marrëdhënien me ngjyrën.
Bora dhe nata, të dyja të qeta dhe të buta në vetvete, pore kam sjellë të mistershme dhe këtë mister e kam sjellë me anë të ngjyrës. Një ndjenjë e brendshme që dua ta transmetoj te shikuesi”- shprehet piktori.
Admir Përvathi i takon brezit të ri të krijuesve pamorë, me një markë dalluese të abstraksionizmit ekspresiv në pikturën moderne shqipe, por e cila flet me gjuhë universale.
Publiku i ka hasur punimet e tij në një sërë ekspozitash, me më shumë se 30 pjesëmarrje në ekspozita kolektive kombëtare e ndërkombëtare dhe 3 ekspozita vetjake.
Sipas kritikëve, piktura e tij shquhet për frymë surreale asociative, me shtresa të koloritit ekspresiv.
Në botën asociative të piktorit spikatin figurat fantazmagorike, të cilat pësojnë metamorfoza në hapësira shumë përmasore. Piktori ka aftësinë që mbi tablonë dydimensionale t’u japë jetë formave tredimensionale, me një markë të fortë dalluese siç janë ngjyrat.
Zgjedh herë ato të përmbajturat, të ftohtat e të qetat e herë shpërthyeset që shpirti i piktorit nuk mund t’i kanalizojë ndryshe përveçse me intensitet të fortë e të thellë.
E kuqja, mbetet dashuria së cilës i mbetet besnik në çdo punim që mban firmën e tij.
“E kuqja më bën të flirtoj më çdo pjesë të telajos. Në momentin që e hedh më jep forcën dhe pasionin për ta ndërtuar tablonë plot ndjenjë. E kuqja shpesh vjen e pasuruar me ndonjë nuancë apo velaturë”, – vijon rrëfimin Përvathi, duke zbuluar se parësorja në punën e tij mbetet forma e shprehjes. Për t’u shprehur me botën e tij artistike, në ndihmë thotë se i vijnë edhe materialet me të cilat e realizon veprën. Veç akrilikut, i gjendur shumë në punimet e tij, përdor edhe materiale me ngjitje apo krijim sipërfaqesh me reliev. Teknika këto që krijojnë forma nga më realet e të plotat, deri te ato më abstraktet e surrealet.
Format kompozicionale edhe pse të shkrira në strukturën e ngjyrave, e vazhdojnë rrugëtimin në formën e siluetave duke e pleksur një botë sa fantazmagorike aq edhe lirike, veçuar nga kompozimet me reflekse të formave gjeometrike që përfundojnë në njolla pikturale.
Njolla që krijojnë iluzionin e lojës, një lojë kreative që me anë të kontrastit të ngjyrave krijon dramën emocionale. Fokusi i pikturës i ka gjurmët të thella dhe të forta duke të ta tërhequr vështrimin si me magnet, ndërsa hapësira përreth qetësohet, por duke e mbajtur të fortë tingullin kumbues të ngjyrës, që jehon edhe pasi e ke lënë galerinë …
I tërë opusi krijues i Përvathit ngjan me një vepër simfonike ngjyrash që të provokon ndjesi të forta e të fshehura nën nënvetëdije gjatë procesit receptues.
“Kam dashur të krijoj tablo që flasin me gjuhën e artit . nëse brenda tyre nuk është arti, atëherë mos kërkoni më shumë për idetë e mia”, – thotë prerazi Përvathi.
I tiji është quajtur abstraksionizëm piktural, puritan në abstraksionin e tij, thellësisht lirik.
Kap hijezimet më delikate të lojës me ngjyrën dhe rrezatimin, që ajo krijon përmes gjurmëve të ngjyrave që sajojnë një konfigurim estetik emocionues.
Abstraksioni përkthehet në një formë rikujtimi dramatik pamjesh, që në optikën e krijuesit defigurohen e konfigurohen deri në silueta, duke e ruajtur kontaktin asociativ me peizazhin abstrakt, fytyrën e figuracionit ekspresiv abstrakt, që vetëm asociativisht mund të sugjerojë një korrelacion komunikimi. “Ndjehem mirë me këtë punë që bëj. Kjo më frymëzon. Më bën t’i jetoj veprat e mia. Përpiqem të gjej rrugë të reja për të mos përsëritur veten. Dua që veprën time ta duan edhe të tjerët”, – rrëfen ai, duk shtuar se krahas frakturës së fuqishme, harmonia e ngjyrave është edhe qëllimi i tij për të realizuar një vepër cilësore. Intuita dhe dora e saktë e piktorit e bëjnë të mos shkasë në dekorativizëm, porse të krijojë vepra autentike. Në pikturën e Përvathit, format konfigurohen lirshëm.
Të tijat gjenden të varura në shtëpi, studio, sallone koleksionistësh vendas dhe të huaj dhe simfonia e tij e ngjyrave ka udhëtuar në shumë sy dashamirësish të artit pamor. Edhe pse e di që piktura e tij nuk është e atij lloji që tërheq shikuesin e zakonshëm, syrin masiv, porse kërkon një zhytje të thellë apo rënie të lirë në meditimin e tablosë, fakti që e bën pikturën e tij të kërkuar, shënon sukses.
Në gradacionet e ngjyrave sidomos blu, e kuqe, jeshile, të kafenjtën, i tërë spektri frymëzues i botës së tij shpirtërore reflekton duke u transformuar në forma të ndryshme surreale, të përcjella me silueta hijesh kozmike, në një dialektikë filozofike
Filozofia e tij, e cila evidentohet fort edhe nga titujt që ai u vendos krijimeve të tij, qëndron tek eksplorimi i së panjohurës.
“Të panjohurën e mistershme e kam brenda vetes; e bukur, e ndrojtur ndoshta edhe egërsinë e hedh në pikturë. Dua ta zotëroj dhe të shpreh fuqinë e mendimit në çdo formë të abstraguar”.
Ngacmimin e merr kudo. Nuk ka nevojë të bëhet asket që muza ta vizitojë.
Ngjarje, histori, tituj, libra, miq…gjithçka përreth e frymëzon ndërsa ai ndërton një histori të tijën në pikturë. Ndalet përpara një muri të vjetër;suvaja e rënë, përzierja e bojës së shpëlarë nga koha i japin një stimul të jashtëzakonshëm. Po ashtu edhe zhurmnaja kaotike e siluetave të panjohura…Është nga ata piktorë që talenti dhe gjenialiteti përkthehet me prodhimtari. Është duke përgatitur një katalog me punimet e tij dhe së shpejti, një prej punimeve do të udhëtojë drejt Argjentinës, ku sapo i ka mbërritur një ftesë pjesëmarrjeje në një ekspozitë të përbashkët.
“Punoj deri në tetë ose më shumë orë në ditë. Çdo moment. Zgjohen edhe në mes të natës dhe ndoshta kam një shkëndijë dhe e nis diçka. I kthehem më vonë e shoh, e punoj përsëri. Edhe nëse jam duke bërë diçka tjetër, nuk i shpëtoj dot tundimit për t’i kthyer sytë e për ta kundruar…” thotë ai duke qeshur. Pikturat e tij jetojnë fare mirë krah njëra-tjetrës si një cikël në vazhdimësi si një rrugëtim drejt një bote që pritet të zbulohet…
Rrugëtimi për të gjetur veten si artist ka qenë i gjatë. Një emër jo pak i njohur në artin figurativ (këtu nuk mund t’i përvidhet me modesti origjinës prej artisti) ai është rritur në një botë me ngjyra, qysh i vogël duke kundruar pikturën e të atit, piktorit të mirënjohur Pashk Përvathit.
Por nga i ati ka trashëguar vetëm emrin dhe pasionin në gjenezë,sepse stili i tij është krejt i ndryshëm i dallueshëm. “Dashurinë për pikturën e kam njohur qysh herët. Jam rritur në një botë mes ngjyrash, por kam qenë i lirë në zgjedhjet e mia. Qysh në vegjëli e kisha një prirje të brendshme tek elementi i mitit. I kam ruajtur disa nga ato piktura. I jam rikthyer këtij elementi sërish, por me forma të abstraguara” – thotë ai ndërsa përmend disa punime të hershme si Troja, Kartagjena, etj. Pas përfundimit të Liceut Artistik , rruga e Akademisë së Arteve të Bukura do të thoshte të rishpikte veten si piktor, ose më mirë ta gjente veten në rrymën ku do të mund të shprehte të gjithë impulsin artistik. “Prirem kah ekspresionizmi abstrakt”- thotë ai, ndërsa zbulon se liria që ka gjetur në vitet e studimit, në eksperimentim dhe eksplorim të rrymave e kanë bërë piktorin që është sot; një modernist që luan me format abstrakte dhe ngjyrat, duke krijuar një lloj lirizmi abstrakt. “Mundohem ta dashuroj atë mënyrë dhe atë tablo. Kam këmbëngulës deri në momentin që them “Po, këtë dua”. Është piktura që më jep atë ndjesi që doja të shprehja”, saktëson ai.
Admir Përvathi, u jep ngjyrave emërtim ndjenjash. Ai nuk merr përsipër të informojë. Ai ka si qëllim të çlirojë energjinë krijuese me lojën mjeshtërore të ngjyrave.
Provon dhe riprovon në telajo, pa u lodhur derisa të shfaqet imazhi që ai e nxjerr nga ëndrrat…


















