Prej 50 shfaqjeve sa kanë aplikuar nga mbi 40 vende të ndryshme, ekipi përzgjedhës i në edicionin e 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve për Film dhe Teatër ka seleksionuar 8 shfaqje si pjesë e programit të teatrit. Dy nga këto shfaqje janë prodhim i teatrit kosovar.
Pas një periudhe dy mujore të procedurës së seleksionimit, SKENA UP është krenare të bëjë publike programin e teatrit në edicionin e 12-të të tij, që mbahet nga data 2 deri më 7 dhjetor.
Festivali këtë vit ka seleksionuar shfaqjet më të mira nga 50 sosh sa kanë konkurruar për të qenë pjesë e SKENA UP.
Shfaqjet e pranuara në festival e që do të shfaqen gjatë 6 ditëve të SKENA UP janë një kërkim i thellë mbi teatrin.
“Programi i teatrit këtë vit në SKENA UP i fton publikun në një udhëtim nëpër situata të zakonshme në të cilat njeriu modern sot përballet. Por krejt këto situata, në shfaqje vijnë si një rezultat i një kërkimi dramatik për shoqërinë dhe nevojën për t’u kuptuar për më shumë dashuri mes njerëzve”, thotë Hana Qena, drejtoreshë e festivalit SKENA UP.
Mbi të gjitha sipas drejtoreshës, shfaqjet e pranuara janë më shumë eksperimentale duke mos u bazuar aq shumë në tekste por në lëvizje skenike dhe gjuhën e trupit.
Shfaqjet e pranuara janë këto:
“The Bacchae” nga Zvicra – Ekipi zviceran, sjellë në skenë një nga veprat më të njohura të antikitetit grek të shkruar nga Euripidi, duke e analizuar tekstin për të sjellë fuqinë e pushtetit dhe të jetës së natës duke e lidhur me nevojën dhe kënaqësinë.
“Locus Amoenos” nga Spanja – Tre personazhe në një tren, udhëtojnë drejt vdekjes edhe pse nuk e dinë. Publiku do të shoh një rrugëtim drejt parajsës nëpërmjet bisedave të zakonshme në një tren.
“Did you enjoy your dish gentleman?” nga Cekia – Një aktor luan më shumë se 20 karaktere të ndryshme të kamerierëve të cila sillen ndryshe varësisht nga klientët e restorantit.
“Bastards in the mind” nga Italia – Ngjarje surreale që tregon mendjen e njeriut, nga lindja deri tek dashuria. Por çka vjen pas dashurisë?
“Crave” nga Kosova –Performancë eksperimentale e bazuar në tekstin e Sara Kane por e kontekstualizuar me realitetin post traumatik në Kosovë.
“Remember me” nga Irani – Shfaqje pa tekst. E fokusuar në “dance theater”. Një cift që tentojnë pafundësisht të mbesin në kujtimin e njëri tjetrit.
“Vernisaz” nga Kosova – Një shfaqje prodhim i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, klasës së Astrit Kabashit që flet për raportet njerëzore duke i vënë në pikëpyetje shumë nga to.
“Euphoria” nga Holanda – Shfaqje që i dedikohet vajtimit nëpërmjet një “realit shoë” ku të njerëz me trauma të ndryshme vuajtje, tentojnë të kapin shansin për një jetë tjetër.

















