Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare që Kuvendi vendosi të ngrihen në seancën e fundit plenare pas kërkesës që vetë të djathtët bënë si kusht për kthimin në Kuvend.
Në një konferencë për mediet mesditën e sotme, Meta tha se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për realizimin e reformave brenda vendit.
“Opozita ka të drejtë të bëjë kërkesa nga më të ndryshmet, por besoj se vendimi i Kuvendit tregon maksimumin e përgjegjshmërisë për t’i krijuar hapësirat që ajo të përmbushë funksionet e saj në këtë sistem demokratik, që duhet t’i dalim vetë për zot në kuptimin e marrjes së përgjegjësive. Nuk marrim askënd për dore për të zbatuar rregullat”, tha Meta.
Meta foli edhe për kandidatët për Gjykatën e Lartë, duke njoftuar se për kandidatët e rinj do të ketë kritere shtesë. Sa i përket debatit të djeshëm në Komisionin e Ligjeve mbi një dekret të Presidentit Bujar Nishani që u rrëzua, Meta tha se debatet jo gjithnjë janë të dobishme.
“Nuk besoj se debatet janë gjithnjë të dobishme, por në rastin konkret do theksoj rëndësinë e procesit dhe të mos ndikohen emocionalisht pasi ky proces për zgjedhjet të kandidatëve për Gjykatën e Lartë përputhet me vetë kërkesën e ligjit, ka nevojë dhe për vendosjen e kritereve shtesë si rezultat i një konsultimi që duhet të realizohet mes presidentit dhe grupeve parlamentare dhe që më pas është mbështetur dhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se ky konsultim duhet të realizohet sa më shpejt për të ecur sa më shpejt për përzgjedhjen e kandidatëve për kriteret”, tha ai.
Interesit të përsëritur të gazetarëve për incidentet në Beograd gjatë ndeshjes Serbi – Shqipëri dhe ndikimit që ato mund të sjellin në marrëdhëniet mes dy vendeve, Meta iu përgjigj duke thënë se ajo çka ndodh në fushën e futbollit nuk duhet të ngatërrohet me politikën.
“Lidhur me ndeshjen dhe evitimin e konflikteve nëpërmjet futbollit, që më pas kthehen në konflikte politike, por nuk doja ta bëjë këtë për diversion, pasi kemi pasur dhe vendime të tjera realiste nga Serbia. Personalitet të ndryshme të Serbisë kanë mbajtur qëndrime pozitive. Nuk dëshiroj ti kthehem ndeshjes, pasi i takon komisioneve sportive. Ajo çka është me rëndësi është të punojmë për të një ardhme, për të fituar mbi të ardhmen evropiane”, tha Meta, ndërsa shtoi se vizita e Ramës në Beograd në nëntor tregon vullnetin e mirë dhe vizionin e Kryeministrit për ta paraqitur rajonin ndryshe para botës.















