Presidenti Bujar Nishani zhvilloi një vizitë në Bashkinë e Bajramit Currit, në Tropojë, me rastin e festës së përvitshme tradicionale të Gështenjës. Kreu i Shtetit u prit nga Kryetari i Bashkisë së Bajram Currit, Agron Demushi, nga Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës Ibsen Elezi, Prefekti i Kukësit Safet Gjici, deputetë të zonës, nga autoritete të tjera dhe përfaqësues të pushtetit vendor si dhe nga qindra qytetarë të Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës. Pasi u përshëndet me banorët e zonës si dhe shumë vizitorë të ardhur në Bajram Curri me rastin e edicionit të tretë të Festës së Gështenjës, mes të cilëve ishte edhe Kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj, përfaqësues nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, Presidenti i Republikës iu drejtua të pranishmëve duke u shprehur i kënaqur që ishte i pranishëm. Më tej ai tha se Zoti i ka falur Tropojës një bukuri mahnitëse, një bukuri të pafund që nga Bjeshkët e saj, Maja e Hekurave, Bjeshkët e Nëmuna, Markofçja, Sylbica, Logu i Vocit i qëndrojnë si kurorë diamanti mbi krye Bajram Currit. “Pasuritë e shumta nëntokësore, si kromi i Rragamit dhe i Kamit, boksitet e Valbonës e Majës së Hekurave dhe kuarci i Kërnajës e kanë bërë këtë zonë të njohur ngado. Dyqind lloje bimësh mjekësore e bëjnë edhe më të veçantë Tropojën pa përmendur këtu pasuritë e mëdha në arra, lajthi dhe natyrisht mjaltin e saj të papërsëritshëm. Gështenja, e ka bërë Tropojën të njohur në mbarë Evropën. Masivet që shtrihen thuajse në të gjithë rrethin e Tropojës, që nga Nikaj-Mërtur, Bujani, Fierza, Markaj e këtu ku jemi në Bashkinë e Bajram Currit, ia shtojnë pasurinë dhe veçantinë rrethit të Tropojës. Përmes tregtisë së gështenjës qytetarët e kësaj zone arrijnë të sigurojnë të ardhurat për gjithë vitin, për familjet e tyre, edhe pse duhet thënë që familjet që kujdesen për to paguhen fare pak dhe nuk kanë kujdesin e merituar nga shteti. Për këtë pasuri të madhe që i shërben jo vetëm Tropojës, duhet një kujdes më i madh, duhet një vëmendje më e shtuar e autoriteteve qendrore dhe atyre lokale. Kemi nevojë të hartojmë një paketë masash në mënyrë që këto familje të cilat burim të vetëm të ardhurash kanë gështenjën apo dhe grumbullimin e bimëve mjekësore, të kenë më shumë të ardhura nga puna e tyre, të kenë më shumë kujdes dhe më shumë vëmendje”, tha ndër të tjera Nishani. Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zonjën Fatmira Breçani me motivacionin: “Për punë të shquar dhe vlera të veçanta artistike të shfaqura si interpretuese e këngës popullore, e mirënjohur në të gjitha trevat shqiptare, përcjellëse e traditës dhe vlerave kombëtare”; zotin Azgan Haklaj me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij të shquar si artist, letrar e drejtues në paraqitjen dhe organizimin e vlerave të artit dhe të kulturës së mbarë kombit shqiptar” si dhe zotin Hamit Aliaj me motivacionin: “Një nga figurat e spikatura të krijimit poetik në letërsinë shqiptare, lëvrues me përmasa evropiane i motiveve të fuqishme shpirtërore dhe dinjitetit njerëzor”. Më pas Presidenti dhe të pranishmit ndoqën me interes një koncert me këngë dhe valle popullore, mes të cilave spikaste e famshmja “Valle e Tropojës”, interpretuar mjeshtërisht nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar dhe artistë nga treva të ndryshme të vendit tonë si dhe vizituan Panairin me prodhime tradicionale të ekspozuara posaçërisht në kuadër të Festës së Gështenjës.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...















