Nga Arben Vata
Nëse ka ndonjë pushtet për të cilin Edi Rama ka një pasion të shfrenuar për ta pasur nën uzurpimin e vet, është padyshim ai mediatik. Përpjekjet e tij për kontrollin e pushteteve të tjera janë në përgjithësi të hapura dhe pas ardhjes në qeverisje të vendit nga vjeshta e vitit të kaluar, Rama nuk është se e ka fshehur ndonjëherë dëshirën e tij për të pasur nën komandë edhe drejtësinë. Madje, janë disa nisma politike të cilat synojnë pikërisht këtë. Por mania e tij për të ushtruar ndikimin e vet në gjithë segmentin mediatik në vend, për shumëkënd nuk është e dukshme, edhe pse mund të jetë e kuptueshme. Rama ishte i pari politikan në Shqipëri që shpiku “fushatën me kaseta”, duke shmangur kështu kamerat e televizioneve nga aktivitetet e tij bashkiake, takimet e hapura politike dhe më pas fushatat zgjedhore; një stil që për hir të së vërtetës u kopjua edhe nga rivalët e tij politikë në shumë raste. Me anë të montimit të pamjeve të monitoruara në shumë raste prej vetë atij ose të besuarve të vet, Rama dërgonte në publik imazhet me të cilat ai donte të paraqitej tek qytetarët, imazhe që jo gjithnjë tregonin zhvillimet reale që e shoqëronin atë në takime të ndryshme. Televizionet e gjendura nën trysninë e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës apo në krye të PS, u detyruan ta pranojnë këtë praktikë aspak profesionale, duke i dhënë krahë dëshirës së tij për të pasur nën kontrollin e vet çdo imazh të tij publik. Sa për gazetat pastaj, ekonomia e tyre e varfër i bëri që të vareshin në informacionin që ato shkruanin për publikun nga ato që jepeshin në ekrane, apo iu dërgoheshin me email nga zëdhënësit e Ramës.
Por pasioni i kahershëm i Ramës për të ushqyer mediat me imazhin e tij, si dhe për të bërë për vete mediat që herë pas here e kanë pasur atë në qendër të kritikave dhe sulmeve politike, nuk kishte sesi të mos forcohej me ardhjen e tij në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit të vitit 2013. “Gjahu” i radhës i kryeministrit pritej të ishte Televizioni Klan, një media që thuajse për 8 vjet ishte totalisht në shërbim të qeverisë së kaluar. Aq sa kolegët gazetarë dhe drejtues të Televizionit Publik ankoheshin se Klani ishte ekrani më i preferuar i pushtetit. Edi Rama duke qenë një njohës i vjetër i medias si dhe i drejtuesve të këtij televizioni (të cilët deri në 2005 ishin aleatë dhe mbështetës të Ramës e së majtës dhe kundërshtarë të Berishës), e kuptoi se një media është më mirë ta kesh mbështetëse sesa kundërshtare. Ndaj edhe nuk vonoi as edhe një vit që “armiqësia” e tij me Klanin të kthehej në një marrëdhënie të re “dashurore”, e cila ka bërë të mundur që ky televizion të kthehet tashmë në shërbim të Ramës dhe një kritik i fortë i opozitës dhe posaçërisht i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryetar i PD.
Në mes të vapës së verës kur njerëzit zakonisht nuk shohin lajme, Klani u bë protagonist me disa kronika që akuzonin Bashën për projektin e ndërtimit të një kompleksi tek Liqeni. I njëjti televizion, jo më shumë se dy-tre vjet më parë kishte mbajtur qëndrim tjetër për këtë debat që del në dritë sa herë ka qetësi politike. Por duket erërat e reja të pushtetit kishin larguar vapën e bezdisshme të verës dhe u kishin “ndriçuar” mendjen dhe dellin profesional drejtuesve të Klanit. Ky ishte vetëm shërbimi i parë i Klanit për Ramën kryeministër dhe pasi prova u kalua me sukses (Klani është i specializuar në fakt për të bërë qoka dhe për ta kryer si askush tjetër rolin e shërbëtorit politik), Rama ka nxitur së fundi këtë televizion të fuqishëm që të ndërmarrë një fushatë kundër Bashës, si kryetar bashkie. Qëllimi kuptohet lehtë dhe ka të bëjë me fushatën ende të padeklaruar të zgjedhjeve për pushtetin lokal, për të cilën mazhoranca ka ende dyshime se për Tiranën mund të kandidojë Basha, pasi ai nuk ka deklaruar kategorikisht nëse do të jetë ai kandidati apo jo. Nuk është aspak çudi që edhe teksti dhe ndërtimi i kronikave të tilla diktohen direkt nga zyrat e kryeministrit, ndërkohë që Klan i mësuar me këto shërbime nuk e ka problem të kthehet sërish në zgjatim të qeverisë së radhës. Në fakt, po vjen fundi i vitit dhe nuk kanë faj se ministritë bëjnë gati fondet për reklamat e vitit tjetër dhe Klani është mësuar që gjithnjë të jetë përfituesi kryesor.
Ndërsa Klani thuajse është në “vathën” e qeverisë, ajo që konstatohet është që opozita realisht është me pak ose aspak mbështetje mediatike. Televizionet kryesore edhe në të kaluarën kanë qenë nën ndikimin e drejtpërdrejtë ose indirekt të Ramës, ndërsa ai u ka bërë dhe vazhdon t’u bëjë presion nëpërmjet segmenteve të shtetit atyre mediave që janë kritike me qeverinë, ose që në rastin më të mirë nuk shprehin ndonjë simpati për mazhorancën e re. Pakkush e di, por në muajt e verës një numër gazetarësh dhe drejtues të ndryshëm të mediave u larguan me “lezet” nga puna në disa media, të cilat mbështesin qeverinë aktuale. Shkaku, kryeministri e do terrenin e lirë kudo dhe nuk ka qejf të ketë nëpër këmbë njerëz që, sipas tij apo servilëve nëpër media, janë mbështetës apo dashamirë të opozitës. Në këto kushte, kur edhe Klani e ka kthyer “timonin” majtas për sa kohë që Rama të jetë në pushtet, e vetmja media dhe tribunë e lirë mendimi mbeten rrjetet sociale, tek të cilat njerëzit në fakt shprehin pakënaqësitë ndaj pushtetit. Mediat nuk është e thënë që të jenë mbështetëse të njërit apo tjetrit grupim politik. Përkundrazi, ato duhet të vihen dhe të jenë në shërbim të interesit dhe informimit të publikut. Por në rrethanat kur qeveria e ka zaptuar gjithë hapësirën mediatike, situata krahasohet me një minidiktaturë dhe çdo përpjekje për ta denoncuar këtë gjendje i shërben në këtë rast opozitës. Mendimi opozitar në këto kushte është më afër interesit qytetar.
















