D-r. KRISTINE D. ALTHAUSER*
Gëzohem shumë që sonte keni ardhur në një numër aq të madh këtu në Vodno. Motin kaq të bukur e kemi „porositur“ qysh para disa javësh, dhe lutja jonë u plotësua! Kjo është shenjë e mirë.
Sapo e dëgjuat – pas himnit kombëtar të vendit nikoqir – himnin kombëtar gjerman, jo pa dashje në një version të kënduar. Ishte ky zëri i këngëtarit të paharruar Hermann Prey. Melodia është marrë nga „Kuarteti Përandorak“, një vepër e kompozitorit Joseph Haydn. Historia e tekstit është e komplikuar dhe e ndërlikuar, siç është edhe vetë historia gjermane. Për mua sot është e rëndësishme se fjalët „Einigkeit und Recht und Freiheit“ (Bashkim dhe drejtësi dhe liri) e përbëjnë rreshtin e parë. Çfarë kuptimi kanë këto terma sot për ne?
Viti 2014 është një vit i veçantë për të gjithë ne – një vit i kujtimeve të veçanta:
o Në verën e vitit 1914 dështoi diplomacia; bota u zhyt në Luftën e Parë Botërore.
o Para 75 vitesh, Gjermania e sulmoi vendin fqinj, Poloninë, duke e shtyrë botë në Luftën e Dytë Botërore.
o Para 25 vitesh ra muri i Berlinit dhe bashkë me të ndarja disadhjetëvjeçare e botës në një pjesë lindore dhe një pjesë perëndimore. Sot, në prag të 3 tetorit, ne i kujtojmë para së gjithash ngjarjet para 25 vitesh.
• Para Portës së Brandenburgut në qendër të Berlinit, ku para disa javësh qindra mijëra njerëz e kishin festuar fitimin e titullit „Kampion Botëror“ të skuadrës kombëtare gjermane të futbollit, njërëzit edhe para 25 vitesh e kishin përqafuar njëri-tjetrin. Në përjetuam një epokë historike, e cila nuk mund të ishte më e kapshme: muri – kjo fortifikatë ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, e cila ishte konceptuar si pengesë e patejkalueshme dhe e kishte ndarë jo vetëm Gjermaninë, por tërë Evropën, madje edhe tërë botën – ra më 9 nëntor 1989.
• Për këtë kishin ëndërruar shumë gjermanë për dekada me radhë, disa kishin pasur vazhdimisht besim se kjo do të ndodhte, mirëpo shumica e njerëzve nuk kishin llogaritur se kjo do të bëhej realitet – të paktën jo aq shpejt.
• Ministri i jashtëm Steinmeier në fjalimin që mbajti para disa ditësh para Asamblesë së Përgjithshme të 69. të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke kujtuar vitet e lartpërmendura dhe aq të rëndësishme për fatin e kontinentit evropian para njëqind, 75 dhe 25 vitesh, e shtroi këtë pyetje (e citoj): „Vetëm të kujtosh do të ishte e pamjaftueshme në këtë vit përkujtimor. Ne më tepër duhet të pyesim: Çfarë mesimi kemi nxjerrë për të ardhmen?“
• Po, ashtu është – çfarë kemi mësuar? Nëse i kemi parasysh ngjarjet para 25 vitesh, po bëhet fjalë për solidaritet me njëri-tjetrin dhe për mbrojtjen këmbëngulëse të vlerave të përbashkëta. Shpërbërja e botës bipolare para 25 vitesh nuk çon automatikisht në një botë më paqësore. Sot, në vitin 2014, jemi të detyruar të shohim bashkërisht se si bota edhe një herë duket sikur del nga binarët: po përhapet një çregullim i ri, vënia në pikëpyetje të normave të së drejtës ndërkombëtare dhe shpërthimi i gjithnjë e më shumë krizave na lë pa frymë. Fjalët „Bashkim dhe drejtësi dhe liri“, të cilat unë i përmenda më lart, nuk janë udhërrëfyes të keqinj, as sot e kësaj dite.
• Më lejoni që sot veçanërisht ta përshëndes deputetin e Bundestagut Gjerman, zotin Schëartze. Zoti Schëartze qëndron disa ditë në Shkup, për të përzgjedhur bursistët për Programin Ndërkombëtar të Bursave Parlamentare të Bundestagut Gjerman. Bëhet fjalë për një instrument të shkëlqyeshëm shkëmbimi, i cili njerëzve të rinj në tërë botën, por edhe në këtë rajon u jep mundësi të punojnë brenda „makinerisë“ së një parlamenti. Ju falënderoj shumë për vizitën Tuaj dhe Ju uroj Juve, zoti deputet dhe kolegëve Tuaj, punë të mbarë lidhur me përzgjedhjen!
• Më në fund më lejoni ta falënderoj shumë përzemërsisht zotin Branko Ivanov. Restoranti i tij, ku sonte kemi nderin ta kalojmë këtë mbrëmje festive, gjendet në një vend të mrekullueshëm. Blagodaram mnogu!
• Ju uroj juve dhe neve të gjithëve një mbrëmje të bukur dhe të këndshme, biseda të mira, takime të mira, dhe shumë frymëzime!
(Autorja është ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë. Fjalimi është mbajtur në pritjen e organizuar nga Ambasada Gjermane në Shkup, në prag të 3 Tetorit, festës kombëtare të Republikës Federale të Gjermanisë)
















