Kryeministri Edi Rama nuk e konsideron thjesht rikonstruksionin e një godine, inagurimin e ambienteve të reja të drejtorisë së policisë së Tiranës, por transformim të shërbimit që ofrohet nga ky institucion. I pranishëm në ceremoninë e përurimit të shërbimit “One Stop Shop” në këtë drejtori dhe përurimit të ambjenteve të reja, kreu i qeverisë deklaroi se Policia e Shtetit ofron 75 lloje shërbimesh për qytetarët, dhe tashmë gjithçka do bëhet pa pagesë. Sipas tij ky transformim do të luftojë edhe korrupsionin.
“Është një transformim i rëndësishëm që na jep mundësi të luftojmë realisht atë korrupsion që ua ka sjellë në majë të hundës gjithë qytetarëve që është korrupsioni në jetën e përditshme, i rryshfetit”, tha Rama.
Të pranishëm në inagurimin e këtij shërbimi në drejtorinë e policisë së kryeqytetit ishin edhe ministri Sajmir Tahiri dhe drejtuesit e lartë të policisë së shtetit. Për Tahirin, shërbimi “One Stop Shop”, do të eleminojë kontaktin e drejtpërdrejtë të qytetarit me punonjësin e policisë që ka për detyrë ndjekjen e kërkesës dhe si rrjedhojë do të shmangë korrupsionin.
Një tjetër risi e këtij procesi, është edhe paisja e qytetarit me një numër unik për çdo denoncim që ai do të kryejë në polici duke e bërë kështu të pamundur mosmarrjen e tij në shqyrtim nga punonjësit e policisë, pasi në të kundërt do të ketë penalizime.















