Presidenti shqiptar gjithashtu ka shtuar se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit është kusht i domosdoshëm për stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani ka mbajtur një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në sesionin e 69-të të saj. Në fjalën e tij mes të tjerash kreu i shtetit shqiptar u bëri thirrje vendeve të OKB që ende nuk e kanë njohur Kosovën ta hedhin këtë hap, ndërsa u ndal edhe tek të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni dhe atyre të Luginës së Preshevës. “Kosova është njohur deri më sot nga 108 anëtarë të Kombeve të Bashkuara, shumë më tepër se gjysma e anëtarësisë së OKB-së. Njohja ka qenë pa dyshim një faktor i rëndësishëm në përparimin e Kosovës. Kjo është arsyeja pse, sikurse dhe më parë, ne u bëjmë thirrje vendeve që ende nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, sepse kështu ata do të ndihmonin jo vetëm popullin e Kosovës të përparojë drejt të ardhmes, por do të kontribuonin gjithashtu për paqen dhe stabilitetin në rajon,” ka thënë presidenti Nishani, ndërsa ka shtuar më tej se ne mbetemi të bindur se zbatimi i plotë dhe i shpejtë i Marrëveshjes së Ohrit është kusht i domosdoshëm për stabilitetin e qëndrueshëm të Maqedonisë, konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, si edhe për të përmbushur dhe vënie në jetë të të drejtave të shqiptarëve.
















