Dështon sërish seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Shkak për këtë është bërë sërish mungesa e dëshmisë së atij që konsiderohet si dëshmitari kyç nga Prokuroria për këtë ngjarje, Arben Ndokës.
Fillimisht u raportua se në seancën e sotme gjyqësore do të dëshmonte dëshmitari Ndoka përmes një videokonference, por një fakt i tillë u hodh poshtë me shtyrjen e seancës. “Nuk ka dëshmitarë. Nuk mund të bëjmë publike detajet e seancës”, janë shprehur avokatët Genc Gjokutaj dhe Tonin Prendi. Sipas tij akuza është në vështirësi të madhe, pasi nuk ekziston asnjë dëshmitar kyç për ngjarjen.
Seanca e zhvilluar me dyer të mbyllura është shtyrë edhe këtë herë. Kjo është hera e 9-të që seanca në ngarkim të Frrokut shtyhet për arsyen e mosparaqitjes së dëshmitarit kyç. Arben Frroku akuzohet për vrasjen e Lamajt më 24 shkurt 2013 në zonën e “Vasil Shantos” pak metra larg pallatit ku viktima banonte. Sipas organit të akuzës, motivi i krimit ishin konfliktet mes të pandehurit Frroku dhe viktimës.















