Me një lëvizje surprizë, prokuroria ka marrë të pandehur tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të Partisë Socialiste, akuzohen për goditje për shkak të detyrës, në dëm të kolegut të tyre demokrat, Gent Strazimiri. Ndërkohë, Astrit Veliaj, i Partisë Demokratike, akuzohet për ndërtim pa leje dhe shkatërrim prone. Në një deklaratë zyrtare, Prokuroria e Përgjithshme tha se të tre ligjvënësit do të gjykohen nga Gjykata e Lartë, menjëherë pas përfundimit të hetimeve që është parashikuar në fund të kësaj jave. Megjithëse nuk kanë akuza të rënda, deputetët rrezikojnë nga gjobë deri në disa vite heqje lirie, megjithëse një dënim me burg vështirë se do të jepet për të tillë të pandehur. Akuza qendrore tha se hetimi penal i zyrtarëve me funksion deputet është zhvilluar nga prokurorët e Drejtorisë së Hetimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në nenin 13 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë”.
Dosja ndaj Ndokës dhe Ndreut
Prokuroria thotë se hetimi ndaj deputetëve Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu ka filluar në bazë të kallëzimit të dorëzuar në datë 14 korrik 2014 nga deputeti Edi Paloka, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Sipas kallëzimit, në datën 10 korrik 2014, në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, deputetët Ndoka dhe Ndreu kanë goditur për shkak të detyrës kolegun e tyre, Strazimiri. “Në kuadër të këtij procedimi, nga ana e grupit hetimor janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë marrë deklarimet nga personat e pranishëm në vendin e ngjarjes si edhe janë sekuestruar kamerat e sigurisë të ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, ku evidentohet goditja ndaj deputetit Strazimiri. Hetimet vërtetuan se gjatë kohës kur deputeti Gent Strazimiri ishte në ambientet e brendshme të Kuvendit të Shqipërisë, pranë sallës plenare, ai është goditur me grusht nga deputeti Arben Ndoka. Pak momente më vonë, deputeti Gent Strazimiri është goditur edhe nga deputeti Pjerin Ndreu”, pohon prokuroria. Sipas saj, bazuar në veprimet hetimore, rezulton se deputeti Strazimiri është goditur për shkak të deklaratave politike që ka bërë në seancën e datës 10 korrik 2014. Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria ka vendosur që të marrë si të pandehur deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës”.
Dosja ndaj Astrit Veliajt
Ndërkohë, në të njëjtën deklaratë, akuza ka bërë publik edhe hetimin ndaj deputetit Astrit Veliaj, në bazë të kallëzimit të një qytetareje nga Fieri, e cila pretendon se subjekti UFO sh.p.k, ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në pronën e saj një ndërtesë 4 dhe 6 kate, në një sipërfaqe 11.000 m2. “Kjo ndërtesë është ngritur me qëllim ushtrimin e një aktiviteti privat nga subjekti ‘UFO sh.p.k’, i cili rezulton se është në pronësi dhe administrim të deputetit Veliaj. Bashkia e Fierit, në kuadër të veprimeve hetimore për këtë procedim penal, konfirmon zyrtarisht se nuk ka dhënë asnjë leje për ndërtim në këtë zonë. Gjatë hetimit ka rezultuar se kjo ndërtesë ka zënë edhe një hapësirë, e cila është në inventarin e Ministrisë së Brendshme. Deri në vitin 2012, në këtë truall kanë qenë zyrat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Pas zhvendosjes së zyrave të këtij institucioni në një ambient tjetër, në inventarin e Ministrisë së Brendshme kanë mbetur godinat ku ushtronte funksionet Drejtoria e Policisë së këtij qarku. Subjekti UFO sh.p.k, në mënyrë të paligjshme, ka shkatërruar këto godina shtetërore, me një vlerë që llogaritet në rreth 10 milionë e 500 mijë lekë për të ngritur ndërtesën e tij”, pohon prokuroria. Sipas saj, për këtë arsye, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj shtetasit Astrit Veliaj, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të subjektit ‘UFO sh.p.k’. Në përfundim të veprimeve hetimore, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është arritur në përfundimin se shtetasi Astrit Veliaj ka konsumuar elementet e veprave penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Shkatërrim prone”. “Materialet në ngarkim të të pandehurve me funksionin deputet do t’i përcillen Gjykatës së Lartë, e cila është kompetente për gjykimin në juridiksion fillestar për zyrtarë të këtij niveli”, thotë akuza qendrore.














