Në Shqipëri është tregtuar bukë me miell të ngjyrosur. Këtë e kanë vërtetuar analizat e kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Specialistët shprehen se sasia e miellit të konstatuar është bllokuar, ndërkohë që sigurojnë oponionin publik se në miellin që tregëtohet apo edhe në grurë nuk janë gjetur elementë helmues që shkaktojnë patologji kancerogjene. Megjithatë ata u bëjnë thirrje importuesve të jenë të kujdesshëm për të zbatur të gjithë kriteret e vendosura.
“U bënë 280 analiza për të përcaktuar që është miell integral apo me ngjyryes. Këtu dolën para dy muajsh disa mostra që kishin pëqindjen më të ulët se sa duhet, që tregon se mund të kishte ngjyrues. Por ato u bllokuan menjëherë. Afatoksina po u blua direkt me grurin, del mbi sasinë e normës dhe dihet që ajo, kur konsumohet nga lopët, del direkt në qumësht, kur konsumohet nga pulat del direkt në mish. Prandaj është detyrë kryesore e fabrikave tona dhe juve, që kontrolli është i domosdoshëm”, tha Abdyl Sinani, teknolog.
Ndërkaq drejtori i AKU, shprehet se monitorimi do të jetë shumë i rreptë duke filluar që nga pikat kufitare. Ndërkaq do të penalizohet të gjithë importeusit që shkelin ligjin.
“Mund të dyshojmë që mund të bëhen dhe bashkime e të përzihet. Ne do të ndjekim procedura të qëndrueshmërisë nga pika kufitare, kur vijnë te importi deri tek konsumatori”, tha Afrim Bakaj, drejtor i AKU.
Këto deklarata u bënë gjatë një takimi me importues të grurit e miellit në vendin tonë. Nga ana e tyre importuesit u shprehen së produkti që ata sjellin kalon në institucione kontrolli të certifikuara sipas standartave të Bashkimit Europian.














