Faqja kryesore zyrtare e Kryeministrisë sot është hakeruar nga një grup i quajtur “Redanons_AL”, i cili e ka bërë këtë faqe të paklikueshme në versionin zyrtar. Hakersat kanë lënë edhe një peticion politik ku bëjnë thirrje për protesta masive. Në mesazhin e lënë nga hakersat i bëhet apel shoqërisë civile të përfshihet në protesta masive “për një gjykatë më të drejtë dhe kundër opozitës inekzistente”.
“Të protestojmë për një gjykatë më të drejtë. Të protestojmë edhe kundër opozitës inekzistente. Thirrje për t’iu kundër-përgjigjur reformes arsimore. Kthimi i simboleve kombëtare në faqet online. PD po vijon me të njëjtën vijë shkatërruese për vendin. Jo presion për rritjen e çmimit të energjisë. Gjiknuri të bëjë kontrolle në biznese dhe abonentë. Gjiknuri të marrë shembull nga ministri Tahiri. Falenderojmë Prokurorin që arrestoi Fullanin. Prokurori të na kontaktojë, kemi prova për 3 drejtorë”- janë disa nga pikat e mesazhit të lënë nga hakersat.
Ky nuk është rasti i parë që faqet zyrtare online të institucioneve qeveritare bien pre e hakersave. në korrik të këtij viti faqet kryesore zyrtare online të ministrive në vend u hakeruan nga një grup i quajtur “Redanons_Al Justice”. Kur klikoje adresat zyrtare të ministrive, në vend te tyre ishte publikuar një version i gjatë dhe një peticion prej 13 pikash nga grupi hakerues. Të hakeruara ishin faqet e ministrisë së Jashtme, Integrimit, Kulturës, Financave, Drejtësisë, Zhvillimit Urban, ministrisë së Ekonomisë, Shendetësisë, Inovacionit, Energjitikës dhe ministrisë për Çështjet Vendore.
Vetëm dy ministri ajo e Mbrojtjes, e Bujqësisë, përfshi dhe Kryeministrinë i kishin shpëtuar hakerimit. Hakeruesit kishin ngritur një seri problemesh duke nisur që nga reforma në arsim e cilësuar prej tyre e papranueshme, moszbatimin e vendimit të qeverisë për IMEIN-n e celularëve, shpërndarjen për njerëzit e varfër të mallrave kontrabandë të sekuestruar nga doganat etj.
Nuk mungonin dhe mesazhet politike si ato për drejtësinë e cila konsiderohej totalisht jashtë kontrollit, dhe një mesazh drejtuar kryeministrit i cili akuzohej se po bën përpjekje për të uzurpuar kompetencat e presidentit. Mes të tjerash hakeruesit kërkonin dhe uljen me 50% të pagës së gjithë deputetëve.
















