Tiranë, 6 shtator 2014, NOA.al- Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, njëherësh kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka komentuar arrestimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Ai tha se qëndrimi i LSI dhe i mazhorancës mbetet i pandryshuar në mbështetje të Prokurorisë dhe gjyqësorit, për të hetuar deri në fund mbi skandalin e vjedhjes dhe për tu vendosur pikat mbi i.
I pyetur nga gazetarët nëse do të kërkohet shkarkimi i Fullanit,Meta tha, “Do të respektohet Kushtetuta dhe ligji. Mazhoranca do të punojë për të rritur pavarësinë e Bankës së Shqipërisë dhe për të rritur integritetin e saj. Reforma në drejtësi do të ecë përpara dhe bashkëpunimi me të gjithë institucionet kushtetuese është i nevojshëm i domosdoshëm dhe duhet të jetë reciproik”, u shpreh Meta.
Deklarata e tij u dha gjatë një aktiviteti për dhjetë vjetorin e LSI, ku Meta ishte i pranishëm te shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” në veprimtari të organizuara nga partia që ai drejton të cilat vijnë në ndihmë komunitetit dhe ambienteve publike si dhe fëmijëve jetimë.
Basha: Politika të mos ndikojë në proces Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke komentuar arrestimin e Fullanit tha se, lidhur me vjedhjen në Bankën e Shqipërisë duhet transparencë maksimale. “Politika nuk duhet të ndikojë në këtë proces dhe çdo gjë duhet lënë në duart e drejtësisë. Duhet transparencë maksimale dhe veçanërisht një proces i pamotivuar nga frymëzimi oligarkik Rama-Meta”, tha Basha”.
















