Dukagjin Gorani, ish këshilltar i kryeministrit në detyrë Hashim Tha[i, duke folur për situatën në të cilën ndodhet PDK-ja, kur asnjë subjekt politik shqiptar nuk dëshiron koalicion me të, thotë se fajtor për këtë është vetë lideri i partisë Hashim Thaçi.
Ish këshilltari Gorani ka këshilluar ish shefin e tij Hashim Thaçin që të ndjekë shembullin e kryeministrit të Irakut, Nuri Al Maliki, i cili ka hequr dorë nga pozita e kryeministrit pavarësisht se i ka fituar zgjedhjet.
“Ndoshta më së miri është përmes një reflektimi racional PDK të vijë në situatë ashtu sikurse erdhi në situatë dje ish kryeministri i Irakut, Nuri Al Maliki, i cili edhe përkundër faktit se i fitoi zgjedhjet u detyrua ta kuptojë që është momenti historik i cili nuk e do atë si kryeministër dhe nganjëherë fitimi aritmetik, fitimi i votave ose fitimi i shumicës së votave nuk do të thotë vetvetiu marrje e vendimit për qeverisje, nëse numri i votave nuk e kalon shifrën 51 %”, ka vlerësuar Gorani.
Koalicioni gjithëpërfshirës është në dëm të Kosovës, thotë analisti Dukagjin Gorani, teksa komenton deklaratat e kryeministrit në detyrë dhe kreut të PDK-së Hashim Thaçi.
Ai për Radio Dukagjinin tha se situata të tilla mund të prodhojnë qetësi në mes të subjekteve politike, por pakënaqësitë pastaj do të barteshin në shoqëri e nga shoqëria në rrugë .
“Mendoj që në situatën në të cilën jemi, ndoshta më së miri është me pasë fitues edhe humbës. Nuk mendoj që është aq tragjike nëse PDK shkon në opozitë e as nuk është tragjike nëse blloku e krijon qeverinë, kështu që edhe ata të cilët e fitojnë pushtetin nuk do të fitojnë ‘çek blanko’ për zhvatje dhe shpërdorime, ndërkohë që edhe ata që e humbin pushtetin nuk mendoj që do të fshihen prej faqes së dheut”, ka thënë Gorani.














