Shumë shqiptarë të Kosovës të cilët ia kanë mësyrë sot (e premte) pikës së kalimit kufitar në Bllacë janë ballafaquar me një kontroll strikt nga pala maqedonase. Disa prej tyre janë ankuar në redaksinë e portalit Almakos se madje janë detyruar të kthehen mbrapsht, pasi nuk janë lejuar ta kalojnë kufirin.
Ata janë shprehur të befasuar se nga pala maqedonase nuk u është dhënë asnjë shpjegim konkret se pse u ndalohet hyrja në Maqedoni.
“U detyrova të kthehem, anipse kisha të gjitha dokumentet përkatëse. Në Shkup kam familjarë, mirëpo nuk e kam të qartë arsyen pse pala maqedonase nuk më lejoi ta kalojë kufirin. Nuk më dhanë asnjë shpjegim konkret”, shprehet Gëzimi, një nga kosovarët që pati këtë përvojë më pikë kalimin kufitar në Bllacë, transmeton Almakos.
Në media u raportua se u ishte ndaluar hyrja në Maqedoni disa këngëtarëve që kishin për qëllim pjesëmarrjen në protestë. Ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska as i ka konfirmuar e as mohuar këto informacione.
“Do duhet të shikohet plotësisht rasti nëse personat kanë poseduar dokumentacion të rregullt por mos të spekulojmë. Ndalesa jep gjyqi. Shtatë ditët e kaluara janë paraqitur shumë fotografi dhe thirrje në fejsbuk, MPB i ndjek ngjarjet dhe i qasemi asaj që ti identifikojmë personat që veprojnë në kundërshtim me ligjin dhe kështu të gjithë ata që do të identifikohen do kenë trajtim të njëjtë para ligjit dhe nuk do lejojmë që një grup personash të dhunshëm të nxisin dhunë dhe ta prishin qetësin dhe rendin publik”, ka deklaruar Jankullovska.
Nga Ministria e Brendshme thonë se po i përcjellin me kujdes thirrjet për protestat në Shkup, ndërkohë që lëvizja e lirë e shqiptarëve nga Kosova, sipas udhëtarëve që kanë pasur për qëllim ta vizitojnë Maqedoninë është vështirësuar dukshëm.
















