Intelektuali i njohur shqiptar Kim Mehmeti, ka postuar në “facebook” vlerësimin e tij lidhur me kërkesat e rinisë shqiptare që po proteston në Maqedoni. Demokracinë konsensuale, ai e ka përmendur si kërkesë të parë të protestuesve.
“Shumëkush më pyet se a kanë këta protestues ndonjë kërkesë konkrete! Vallë ka ndonjë shqiptarë që nuk dinë ta lexojë drejt kërkesën e kësaj rinie! Jo sot, por ka dhjetë vite që ajo rini shpreson dhe kërkon ndryshime kushtetuese që do e institucionalizojnë demokracinë dyetnike konsesuale, ajo rini donë institucione shtetërore që nuk do i provokojnë shqiptarët, ata duan të kenë “Parlamentin e shqiptarëve të Maqedonisë” që do u jep llogari shqiptarëve e jo vetëm sunduesit maqedonas. Pra, këta protestues të rinj kanë kërkesa shumë konkrete, ndër të cilat është edhe ajo më “prozaikja”: që Maqedonia të ketë gjyqësorë dhe polici të kontrolluar edhe nga shqiptarët, që policia e këtij shteti të mos mbrohet nga shqiptarët, por që ta mbrojë edhe shqiptarin. Kjo rini kërkon që policia të mos i mbrojë provokatorët e saj që i infiltron mes protestuesve, por protestuesit t’i mbrojë nga provokatorët! Dhe kjo rini kërkon njëherë e përgjithmonë të çlirohet nga politikëbërja e partive të këtushme shqiptare, të cilat parti legjitimitetin që ua jep populli ia dorëzojnë sunduesit maqedonas, duke e bërë regjimin të fortë e popullin shqiptarë të dobët! Unë e kuptoj që këto kërkesa të mos i kenë lexuar drejtë drejtuesit e partive politike shqiptare, por më habit kur ato nuk janë zbërthyer siç duhet edha nga alamet doktor shkencash që kemi, nga qindra profesor universitetesh, nga shkrimtarë, nga ata që vetveten e mbajnë për intelektualë e opinionistë të pavarur, nga individ me prirje të bëhen drejtues politik të këtij populli, të cilët në vend që të dalin në protesta e të mbrojnë rininë tonë nga manipulimet, merren me shpjegimet me të cilat është e ngarkuar të merret kryesia e BDI-së: kush i organizon e kush do përfitojë nga këto protesta! Andaj rinia jonë që ndjehet e papërfaqësuar dhe e pambrojtur, kjo rini të cilës rruga i ka mbetur i vetmi “institucion” besnik, nëpërmjet këtyre protestave, nëse hiçgjë tjetër, do ia del të shpalos të vërtetën se a ka ky popull elita që nuk e përdorin mllefin e kësaj rinie për përfitime personale e për t’u bërë heronj, por për ta mbrojtur heroizmin e kësaj rinie!”, ka shkruar në “Facebook” Mehmeti.
















