Pas homazheve të shtunën Drejtori i SHISH-it, Visho Ajazi Lika tha se “nuk kam shumë informacion për vrasjen”. Sot, kryeprokurori Adriatik Llalla mblodhi grupin e posaçëm hetimor
Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika dhe Kryeprokurori Adriatik Llalla po zhvillojnë një takim në Prokurorinë e Përgjithshme mbi vrasjen e bankierit Artan Santo.
Mbledhja po zhvillohet me dyer të mbyllura prej disa minutash mbi ecurinë e punës hetimore dhe informative për zbardhjen e shkaqeve dhe autorëve të vrasjes së Santos.
Pas homazheve të premten në mesditë përpara arkëmortit me trupin e pajetë të Santos, Drejtori Ajazi Lika tha se “nuk kam shumë informacion për vrasjen”.
Pak orë më parë kryeprokurori Llalla bisedoi për më shumë se 60 minuta me grupin e posaçëm të hetimit të vrasjes së Santos të enjten e shkuar rreth orës 9 vendore të Tiranës.
Mbledhja që përfundoi rreth orës 10:30 (të së shtunës, ora në Tiranë) u zhvillua gjithashtu me dyer të mbyllura në Prokurorinë e Tiranës.
Grupi hetimor i krijuar me urdhër të zotit Llalla bashkërendohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka në dispozicion logjistikën speciale të institucionit.
Artan Santo, një ndër bankierët më të vjetër dhe të rëndësishëm të Shqipërisë u vra me 6 plumba pistolete pranë shkallëve të bankës “Credins” që e drejtonte në zonën e ish-Bllokut në udhëkryqin e shtëpisë së udhëheqësve komunistë ish-kryeministri Mehmet Shehu dhe diktatorit Enver Hoxha.















