Pas vendimit për të bërë të detyrueshëm regjistrimin e numrave celularë, vendimi i radhës i qeverisë është regjistrimi edhe i telefonave celularë. Nga 4 gushti, çdo telefon që ne blejmë duhet ta regjistrojmë. Telefonat kanë një kod unik që njihet si Numri IMEI (The International Mobile Station Equipment Identity) është numri unik 15-shifror, që shërben për të identifikuar aparatet celulare. Ky numër, zakonisht, gjendet i shtypur në çdo kuti paketuese, si dhe në brendësi të aparatit, poshtë vendit ku vendoset bateria ose gjenerohet automatikisht (*#06#).
Procesi i regjistrimit
Të gjitha kompanitë e telefonisë celulare, brenda një jave nga hapja e procesit të regjistrimit të numrave IMEI, do të dërgojnë pranë Bazës së të Dhënave të Ministrisë së Financave të dhënat e numrave IMEI që kanë të regjistruar. Importuesit e celularëve të dedikuara për shitje, duhet të depozitojë pranë Ministrisë së Financave listën e numrave IMEI të aparateve që ka në zotërim, markën e aparatit/aparateve, si dhe tipin.Personi fizik tregtar, i cili, në cilësinë e tregtarit, ka në zotërim, në pikat e veta të shitjes, aparate celulare të dedikuara për shitje, duhet të depozitojë pranë Ministrisë së Financave të dhëna për importuesin nga i cili/të cilët janë blerë aparatet celulare, listën e numrave IMEI të aparateve që ka në zotërim, markën e aparatit/aparateve, si dhe tipin. Kompanitë e telefonisë celulare i dërgojnë një mesazh klientit-individ në formë kërkese për regjistrimin e numrit IMEI, duke i shpjeguar të dhënat që kërkohen të regjistrohen.
Detyrat e qytetarit
Klienti mund të dërgojë SMS tek operatori (short code i dedikuar), me të cilin të japë të dhëna për:
identitetin, numrin/numrat IMEI, markën e aparatit/aparateve, tipin, si dhe numrin personal të identifikimit. Në rast se të dhënat e klientit janë të plota, atëherë kompania celulare i dërgon klientit “via sms” konfirmimin e marrjes së të dhënave. Çdo individi i lejohet të regjistrojë, në emrin e vet, pa pagesë, më shumë se një aparat celular, me kusht që të gjithë numrat IMEI të rezultojnë të regjistruar në Bazën e të Dhënave. Të gjithë individët, të cilët kanë marrë mesazhin njoftues nga kompania celulare, ose janë paraqitur vullnetarisht në sportelet e kompanisë për të deklaruar të dhënat dhe e bëjnë regjistrimin e numrit IMEI të aparateve celulare që disponojnë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditësh nga hapja e procesit të regjistrimit nuk paguajnë për regjistrimin. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pas përfundimit të procesit të regjistrimit, Ministria e Financave në bashkëpunim me operatorët e telefonisë celularë kryejnë rakordimin mes numrave IMEI që gjenden në Bazën e të Dhënave me numrat e shërbimit celular të kompanive të telefonisë celulare.
Pas përfundimit të afatit 15-ditor, operatorët e telefonisë celulare do të ofrojnë shërbimet e tyre vetëm për numrat IMEI të aparateve celulare, të cilët janë në Bazën e të Dhënave të Ministrisë së Financave. Individëve, të cilët pas kalimit të afatit 90-ditor të parashikuar në pikën 15 të këtij vendimi ose në vazhdimësi paraqiten pranë sporteleve të operatorëve të telefonisë celulare për të marrë një kartë SIM, u bëhet verifikimi i regjistrimit të numrit IMEI pranë Bazës së të Dhënave. Në rast se numri IMEI i aparatit nuk ekziston në Bazën e të Dhënave, individi paguan një tarifë shërbimi prej 500 lekësh për regjistrimin e numrit IMEI.
















