Qeveria e Kosovës ka ftuar qytetarët që po protestojnë në Mitrovicë, që të protestojnë me qetësi, maturi e vetëpërmbajtje” thuhet në kumtesën e qeverisë së Kosovës.
Qeveria u bën thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve nga ata që kanë për qëllim të destabilizojnë Kosovën.
“Qeveria e Kosovës siguron qytetarët se barrikadat e reja mbi lumin Ibër, do të hiqen shumë shpejtë dhe lëvizja e lirë do të sigurohet sipas Ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Marrëveshjes së Brukselit”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
“Po ashtu sigurojmë se në rast të mosefektivitetit në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës do të marrë masat e duhura në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjet e shtetit të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Gjithashtu, qeveria thotë se garanton angazhim të lartë e njëherit kërkon prej organeve të rendit, Policisë së Kosovës, EULEX’it dhe KFOR’it që të sigurojnë rendin dhe qetësinë për të gjithë Mitrovicën.














