Lulzim Syla është sot një ekonomist i aftë dhe menaxher i suksesshëm i biznesit të tij në Gjermani.
Me formim profesional në Kosovë dhe programe të zhvillimit të karierës edhe në SHBA, Austri e në Gjermani, si shumë emigrantë të tjerë, edhe Lulzimi e familja e tij e nisi nga zero udhëtimin e tij e nis pas luftës si shumë të rinj mes sfidave në Kosovën e shkatërruar dhe një vizioni që përmes zgjerimit të biznesit të depërtojë edhe në tregje botërore, ku prej disa vitesh vepron edhe në Gjermani. Syla jep ide dhe sugjerime sesi të arrihet bashkëpunimi ndërshqiptar, sesi shteti duhet të krijojë e përmirësojë një rrjet funksional biznesesh, se si diaspora të jetë në qendër të vëmendjes dhe Samitin e Diapsorës duhet ta marrë në dorë vetë diaspora dhe se ajo të jetë vendimmarrëse dhe të votojë për vendin e vet. Sfidat e ardhshme të Lulzim Sylës janë optimiste, zgjerimi në tregje ndërkombëtare me produkte dhe shërbime nga fusha e energjisë së ripërtëritshme, kurse në aspektin profesional shkrimi i një libri për bizneset shqiptare në botë, pa lënë mënjanë edhe edukim shtesë në fushën e biznesit në Gjermani.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Profesioni im si ekonomist, përkatësisht në fushën e menaxhimit të biznesit, ka ardhur si rezultat i ndikimit nga biznesi familjar, ku tani jemi gjenerata e dytë, dhe nevoja për të zhvilluar biznesin më tutje ka ndikuar që të orientohem drejt ekonomisë. Por ka qenë edhe dëshira e brendshme për të studiuar në këtë fushë. Si profesione të dyta, kur isha në shkollën e mesme, e sidomos tani pas një përvoje jo të pakët, do më pëlqente të kisha studiuar arkitekturë, ose diçka të afërt nga inxhinieria.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Përveç përfundimit të studimeve, që ka qenë kënaqësi e veçantë, pastaj udhëtimi si pjesë e “International Visitor Leadership Program”, në vitin 2012, në Amerikë, ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme profesionale, sikurse edhe specializimet e tjera jashtë vendit si në Austri e në Gjermani. Ndërsa në aspektin e profesional, zgjerimi i biznesit në Gjermani dhe vende të tjera i vlerësoj si një arritje që vazhdon edhe tani.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Disiplina që kemi trashëguar nga familja ka qenë çelësi kryesor i suksesit, qoftë në vazhdimësi të biznesit, tek gjenerata e dytë që jemi ne tani, por edhe mbajtjes së unitetit dhe harmonisë në familje. Pastaj, kjo ka reflektuar edhe në përkushtimin për të lëvizur para në karrierë dhe arritje të qëllimeve, por që jemi në rrugëtim, sepse jemi ende të rinj.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Sfidat më të mëdha ishin si ato të shumicës së shqiptarëve, të cilët pas lufte dolëm shumë të dëmtuar, dhe na u desh që të fillojmë gjithçka nga e para. Pastaj konsolidimi, si shtet i ri, ka reflektuar domosdoshmërisht edhe në rrjedhat e jetës dhe punës profesionale, kështu që sfidat kryesore ishin ringritja e gjithçkaje në një vend paslufte e që praktikisht na ka marrë shumë kohë të gjithëve si shoqëri. Ndërsa në aspektin e biznesit, sfidë e vazhdueshme mbetet depërtimi në tregje ndërkombëtare.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Sigurisht që në jetë të jepen mundësi dhe raste të ndryshme, për të cilat shpesh mendon se si do të ishte jeta po të vazhdoje këtë apo atë rrugë, por e rëndësishmja është se me shumicën e vendimeve jam i kënaqur me gjendjen aktuale dhe çdo herë duhet të synojmë për më shumë suksese.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Sigurisht se njeriu është gjithmonë në kërkim të më të mirës, por duke falënderuar Zotin dhe përkushtimit të madh në punë, sot kam një familje shumë të mirë, dy fëmijë të shëndetshëm dhe një grua që më mbështetë në çdo moment.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Të qenurit i shtypur si popull, në periudha të ndryshme dhe me vuajtje, fjala “Atdhe” për ne shqiptarët është fjalë e cila hyn në grupit e fjalëve shpirtërore, si nënë e baba, ku në çdo moment të sjellë një përjetim të mirë, nganjëherë edhe të dhimbshëm, por mbi të gjitha emocionues e me kujtime të mira.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Përkundë sfidave jashtëzakonisht të mëdha që kemi kaluar si popull, kalimi nëpër këto sfida na ka kalitur të jemi më të guximshëm, insistues dhe ta përkrahim dhe të jemi afër njëri – tjetrit, si në atdhe, por edhe kur jemi në vende tjera, në diasporë.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në përvojën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Edhe pse nuk kam shumë vite që jam në Gjermani, të jetuarit në një vend të ri, sadoqë ka shumë të afërm dhe në përgjithësi shqiptarë, përsëri ka qenë një periudhë e vështirë adaptimi, në rrethana të reja dhe integrimi, në një shoqëri tjetër me më shumë rregulla dhe kulturë tjetër, por që sot ndihem më i lehtësuar.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Kam pasur rastin të jem që nga fillimi i krijimit të rrjeteve të para të bizneseve në diasporë dhe kam ndihmuar në shumë procese mbi bazën e përvojës që kam pasur në Kosovë, me organizata të ndryshme. Bashkëpunimi shqiptar mund të përmirësohet përmes organizimit më të mirë të rrjeteve të biznesit, duke vendosur struktura menaxheriale të mirëfillta, pastaj shoqatat e themeluara në diasporë duhet të nxisin projekte për mësim të gjuhë shqipe në vende të Evropës, atje ku ka shqiptarë. Sfidë mbetet e drejta e votës në vendlindje dhe e drejta për vendimmarrje. Gjithashtu ministritë përkatëse, si ajo Punëve të Jashtme apo e Diasporës, mund të bëjë shumë më tepër në rrjetëzim më të madh të bashkatdhetarëve, sepse kanë gjithë databazën dhe mekanizmat për të ofruar më shumë për bashkë qytetarët e saj.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
T’i kushtohet shumë më tepër rëndësi arsimit dhe shëndetësisë, kur këto dy fusha i ke të rregulluara dhe me standard, fushat e tjera rregullohen pikërisht nga njerëzit e arsimuar mirë dhe me shëndet të mirë.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Qeveritë shqiptare, duhet përmend një fakt, që nga presioni që kanë pasur nga komuniteti i diasporës, kanë lëvizur më mire në disa iniciativa, sesa në krahasim me vite më parë, por mbetet shumë për t’u bërë në realizim të planeve që janë shkruar në letër dhe diaspora, gjithashtu, duhet të jetë më këmbëngulëse në jetësimin e kërkesave të tyre. Ta marrim shembull, si GERMIN, kemi propozuar që organizimin e Samitit të Diasporës ta marri diaspora në menaxhim.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Në kuadër të biznesit jemi duke u zgjeruar në tregje ndërkombëtare me produkte dhe shërbime nga fusha e energjisë së ripërtëritshme, kurse në aspektin profesional kam filluar të shkruaj një libër për bizneset shqiptare në botë dhe jam duke planifikuar të ndjek edukim shtesë në fushën e biznesit në Gjermani dhe, krahas gjithë këtyre angazhimeve, jam i përkushtuar në jetësimin e shumë projekteve që kanë të bëjnë me lidhjen e diasporës me vendlindje, siç është angazhimi që bëjë në GERMIN.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Fillimisht ju përgëzoj për punën e deritanishme dhe pikërisht numri kaq i madh i ndjekësve duhet t’ju shtyjë edhe më tepër që ta pasuroni platformën tuaj edhe me më shumë informacione kombëtare e ndërkombëtare, në dobi të informimit të drejtë të shqiptarëve kudo që janë.
Petrit Kuçana The Albanian
















