Taulant Dedja, dikur një nga emrat e rëndësishëm të PS, në vitet ‘90-të, deputetët, ish- zv/minister i Pushtetit Lokal, në qeverinë Nano, prefekt i Tiranës, në intervistën ekskluzive për “The Albanian” tregon jetën e tij në re në Kanada, sot si shtetas kanadez, pasi ka fituar dhe nënshtetësinë Kanadeze. Në Kanada, ish-deputeti socialist mbështet zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike për komunitetin shqiptar, si dhe drejton së bashku me bashkëshorten, Jetën, portalin, Flasshqip.ca , dedikuar kryesisht për shqiptarët e Kanadasë. I “regjur” nga emigrimet, sa në Zvicër e së fundi në Kanada, Dedja është nga ata shqiptarë të suksesshëm, që arrijnë ta drejtojnë jetën dhe fatin e tyre drejt suksesit, falë menaxhimit të mirë, aftësive personale dhe punës e përkushtimit maksimal. Për Taulantin, “suksesi nuk është karriera, por fakti që çdo etapë të zhvillimit personal e profesional e ka jetuar siç e ka ndjerë” dhe sot ai “jeton lirinë e tij në një vend të lirë”. Për atë, sikurse shumë të tjerë, e shqetëson vetëm një gjë në atdheun, që la pas, “ajo që duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe, është klasa politike”, si përgjegjësja kryesore për gjendjen e mejruar në të cilët ndodhet.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Udhëtimi im profesional, nëse lejohet të përdor një metaforë, ka qenë “lundrim në disa lumenj e dete”. Pra, thënë ndryshe, kam ushtruar më shumë se një profesion. Kjo sidomos për shkak të rrethanave jetësore, por edhe për shkak të faktit që i përkas brezit i cili, gjysmën e parë të jetës (deri tani), e kaloi nën një sistem totalitar (ku gjithçka ishte e paracaktuar), ndërsa gjysmën tjetër në vorbullën e tranzicionit, vorbull e cila shumë prej nesh i shtyu drejt emigrimit për një jetë më të mirë e më të qetë. Për mua Kanadaja është emigrimi i dytë… Nuk kam bërë llogari, të them të drejtën. Nëse për një moment, kur isha 10 vjeç, prindërit më “shtynë” drejt violinës, më pas e dashurova atë instrument (falë edhe mjeshtërisë së profesorit tim të parë, Jani Papadhimitri) dhe i kushtova rreth 20 vjet, një e katërta e të cilave kaloi në Zvicër, pranë një orkestre profesioniste… Rrethanat e sollën ta “braktis” violinën për t’iu kushtuar pak vite gazetarisë në Tiranë e më pas karrierës ekzekutive dhe politikës, pjesëmarrja në të cilën më shumë se vokacion ishte dëshirë për të kontribuar me aq sa mundesha në një Shqipëri, e cila sapo kish dalë e drobitur nga katastrofa e vitit të mbrapshtë 1997… Në emigrimin e dytë përsëri nuk bëra llogari, por iu përshtata rrethanave sërish, duke provuar edhe karrierë akademike edhe manaxheriale. Për mua ajo që ka rëndësi është që çdo zgjedhje ka qenë rezultat i vendimmarrjes time personale dhe jo e varur nga të tjerët. Nëse do ta përmblidhja, arti dhe letrat mbeten vokacioni im edhe për shkak të traditës familjare. Brenda vetes vazhdoj të jem ai artisti që ka patur fatin të luajë pranë Ibrahim Madhit, Vangjush Papadhimitrit, Cin Simonit, Florian Vlashit apo Bujar Llapajt … Profesionet e tjera madje jam munduar shpesh t’i shoh me “syzet” e artistit. Fjala bie në manaxhim thuajse gjithmonë duhet të sillesh si ai dirigjenti, i cili duhet të bëjë që orkestra të funksionojë si një e tërë …

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Nga muzika do të veçoja 4 vitet në Orkestrën e Harqeve të ILA, të drejtuar nga mjeshtri Ibrahim Madhi, vitet në orkestrën e RTSH, por edhe vitet në Zvicër pranë mjeshtrit Jan Dobrzelwski,në orkestrën e harqeve të Neuchatel-itë nga gazetaria, vitet pranë Ilirian Zhupës, drejtuesit dhe botuesit të gazetës “Populli Po”ë Nga 12 vitet e politikës dhe ekzekutivit do veçoja manaxhimin në terren të krizës së refugjatëve gjatë Luftës së Kosovës, drejtimin e grupit të ekspertëve për reformën e decentralizimit (i asistuar nga dy ekspertë të shquar ndërkombëtarë, Francis Conway i USAID dhe Prof. Bernard Dafflon nga Zvicra), eksperiencën si prefekt i Tiranës (kujtoj që gjatë mandatit tim Tirana u pastrua nga rreth 8000 kioska përfshi dhe pastrimin nga kioskat të Parkut “Rinia”), dy mandate deputeti në qytetin e Elbasanit, të cilit i mbetem përjetë mirënjohës, por edhe shumë vite pjesëmarrje pranë strukturave të Këshillit të Europës, si përfaqësues i Shqipërisë, përfshi dhe Asamblenë Parlamentare. Nga vitet e emigrimit në Kanada, do veçoja diplomimin Master në Administrim Publik (programi manaxhim lokal) pranë Shkollës së Administratës Publike të Quebec-it me rezultate shumë të larta (madje isha studenti i parë shqiptar i diplomuar aty), 4 vitet e punës si asistent kërkimesh (apo edhe bashkëpunnëtor dhe bashkëautor studimesh) pranë dy profesorëve të nderuar Gerard Divay dhe Yves Boisvert, por edhe eksperiencën manaxheriale në një nga qendrat komunitare më të mëdha të Bashkisë Montreal. Kësaj periudhe i takon dhe ideimi dhe realizimi i iniciativës për vendosjen e monumentit të Nënë Terezës në qytetin e Montreal-it me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërise. Natyrisht nuk mund të mos përmend faktin që sot punoj si manaxher (krahas të paktën 17 bashkëkolegëve të tjerë shqiptarë) në një kompani shqiptare shumë të suksesshme, DUKA Property Management, themeluar dhe drejtuar nga Z. Altin Nani, një ndër sipërmarrësit më të spikatur shqiptarë të dekadës së fundit në Toronto dhe GTA. Paralelisht, prej më shumë se një viti drejtoj së bashku me Jetën, bashkëshorten time, portalin online Flasshqip.ca (iniciativë krejtësisht vullnetare), me fokus komunitetin shqiptaro-kanadez.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Suksesi është shumë relativ, si koncept, sipas meje. Madje do thoja që për mua të gjithë emigrantët shqiptarë në Kanada që njoh janë të suksesshëm, sepse kanë arritur të përshtaten e të ndërtojnë jetën e tyre në një shoqëri në shumë aspekte shumë të ndryshme, në raport me vendin prej nga vijmë. Për mua personalisht suksesi nuk është karriera, por fakti që çdo etapë të zhvillimit personal e profesional e kam jetuar siç e kam ndjerë, duke u bazuar te vullneti dhe puna dhe plotësisht në respekt të lirisë time personale, që për mua është gjëja më e rëndësishme. Jetoj lirinë time në një vend të lirë, ky është suksesi im i përmbledhur në një fjali. Qytetar i botës, shqiptar deri në indin e fundit…
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Për mua sfida që shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës është të realizojë vetveten, pra të përmbushë e shfrytëzojë maksimalisht potencialin e tij shpirtëror, mendor e fizik. Unë sot e ndjej veten pothuajse të përmbushur (them kështu pasi kam ende për të dhënë) dhe shijoj çdo moment të gjithçkaje kam. Pas kësaj, çdo sfidë tjetër më duket aksesor plotësues i tablosë së përgjithshme.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Sigurisht që në çështje të caktuara, sidomos ato madhoret ku luhet fati i një kombi ose jetët njerëzore, asnjëherë nuk ka bindje absolute nëse vendimet që marrim janë të drejta. Por çdo gjë gjykohet në raport me rrethanat dhe kohën kur ndodhin. Disa zgjedhje të miat të mëparshme të gjykuara e analizuara më vonë me parametra të tjerë kanë rezultuar jo dhe aq të mira. Përgjithësisht nuk jam njeriu i pishmaneve përderisa cdo vendim e marr me vullnet të plotë. Por ç’kuptim do të kishte jeta pa sprovat gjatë rrugës së saj?
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Njeriun e kufizon vetja në shumë drejtime, ajo lloj veteje që përcaktohet prej të tjerëve. Unë këtë vete, siç pohova më lart, e kam tejkaluar dhe e tejkaloj në çdo kohë që më cenohet. Kurdoherë jetoj sipas normave dhe vlerave të mia të ndërtuara e kultivuara që prej fëmijërisë dhe këtë e quaj triumf, të mos tradhëtuarit e vetes, të ndjenjave dhe mendimeve të mia. Ndofta emigrimin e dytë mund ta konsideroja si një provë që doja të kaloja përballë vetes, që isha në gjendje ta ndërtoj kudo jetën time pa mbetur “rob” i karrierës politike në Shqipëri, karrierë të cilën e lashë në mes me vullnetin tim të plotë, pa u bërë servil i askujt…
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Atdheu im është e djeshmja, e tashmja dhe e ardhmja ime. Ai gjithashtu merr kohën e paraardhësve të mi. Atdheu është trashëgimi që e mbartim dhe e përcjellim me ndjesitë që na lënë të parët dhe ato që përjetojmë vetë në kohën tonë. Atdheu nuk është llogari bankare, që ta shtosh ose pakësosh apo ta investosh sipas interesave. Atdheu është pasuri e patundshme e gjithsecilit, të cilit i rritet vlera nëse e mirëmbajmë dhe kujdesemi për të. Atdheu është pasuri shpirtërore që na frymëzon e mban gjallë përmes kujtimeve e përjetimeve.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Krenaria e të qënurit shqiptar, jo thjesht për t’u brohoritur nëpër stadiume, për mua është vlerë që vjen prej historisë. Shqiptarët në çdo kohë, edhe nën pushtime të ndryshme, kanë shfaqur inteligjencë për t’ia dalë mbanë dhe madje edhe të spikatin. Aftësia për t’u përshtatur me këdo dhe kudo është karakteristikë thelbësore e jona që ndihmon në integrimin tonë në çdo vend të botës.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Emigrant sipas meje, kur emigron në moshë madhore, do të thotë njeri shpirtërisht i ndarë më dysh, i cili duhet medoemos të gjejë një balancë brenda vetes… Besoj që shumica dërrmuese e jona e ka gjetur këtë balancë sidomos falë aftësisë për t’u përshtatur. Në emigracionin tim të parë, të them të drejtën të qenurit muzikant ma lehtësoi punën shumë, jo vetëm sepse muzika është gjuhë universale, por edhe sepse shkolla shqiptare e muzikës na kish përgatitur të ishim shumë kompetitivë kur dolëm në perëndim. Po ashtu, Zvicra është një vend ku investohet shumë për artin dhe artistët aty vlerësohen e respektohen, pavarësisht nga cili vend vijnë. Ndërsa për sa i përket Kanadasë, dihet që shumica jonë ka ardhur këtu mbi bazën e një sistemi përzgjedhës meritokratik. Kanadaja është vend klasik emigrantësh, vend ku multikulturalizmi është një nga shtyllat bazë të shoqërisë së këtushme demokratike. Në këndvështrimin tim, është vendi më i mirë ku mund të imigrojnë profesionistët dhe që ofron shumë oportunitete karriere dhe biznesi.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Teknologjia e sotme e ka lehtësuar shumë komunikimin dhe besoj që bashkëpunimi ndërshqiptar në diasporë ka pësuar një hop cilësor. Nëse diaspora do kish më shumë hapësirë për të ndikuar në territoret shqiptare në Ballkan (ajo atje ende përdoret si fasadë për fat të keq) realiteti i bashkëpunimit ndërshqiptar në Ballkan do ishte krejt ndryshe … Sipas meje në këtë pikë jemi akoma tek shprehja e Mit’hat Frashërit: “shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat, pasi të fitojnë betejën e fundit mes tyre” … bashkëpunimi ndërshqiptar i klasës politike në Ballkan sot për sot është në ditën më të keqe… Gjasat që të ndryshojë diçka janë shumë të vogla dhe kjo është më shumë se tronditëse…

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
E vetmja gjë që duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe është klasa politike. Më trishton shumë fakti kur dëgjoj miq të mi të shprehen që ndoshta Shqipërinë e shpëton vetëm një protektorat i huaj nga klasa politike aktuale…
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Qasja aktuale është shumë më mirë se asgjëja. Përtej fasadës, ka disa iniciativa pozitive që duhet parë si do konkretizohen. Jam i bindur që qeveritarët shqiptarë nuk i bëjnë dot “ushtarë” përfaqësuesit e diasporës, sepse këta të dytët e kanë ndërtuar me punë e vullnet jetën dhe karrierën e tyre në vendet më të zhvilluara të botës. Qeveria apo qeveritë shqiptare, duhet të bëjnë vetëm një gjë: të qeverisin me përgjegjshmëri Shqipërinë dhe ta çojnë vendin drejt normalitetit, sepse ai vend për fat të keq po shpopullohet dhe sidomos tek rinia shpresa duket sikur ka lindur e vdekur… Ndërkohë jam i mendimit që diaspora duhet të organizohet në mënyrë më të institucionalizuar dhe të ushtrojë presion pozitiv që gjërat në Shqipëri të shkojnë nga e mbara…
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Po t’i referoheni asaj që tregova më lart, konstantja e jetës time ka qenë ndryshimi i diktuar nga respekti për lirinë time individuale. Për momentin fokusi mbetet konsolidimi i Portalit Flasshqip.ca në parametra sa më profesionale.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do të ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim)?
Mesazhi im për 1 milion ndjekësit është që ata duhet t’ua përcjellin “The Albanian” edhe të paktën 1 milion të tjerëve.
Intervistoi: Petrit KuçanaThe Albanian

















