Burime nga grupi hetimor thanë se Çiça u ekzekutua për motive hakmarrjeje, që lidhen me një vrasje të ndodhur 16 vjet më parë në Greqi. Në fshatin me emrin Zhabakik, në mesin e vitit 2000, Jani Alia goditi për vdekje me thikë djalin e shtetasit Shyqo Ballazhiu, nga Tepelena. Viktima E.Ballazhiu, 20 vjeç, ishte shoku i fëmijërisë së Elton Çiçës, bashkëmoshatar i tij. Ata ishin rritur bashkë në Tepelenë dhe Çiça ishte interesuar shumë për të mësuar se kush ishte autori i vrasjes së shokut të tij.

HAKMARRJA
Në momentin që e ka marrë vesh se autori ishte po ashtu nga Tepelena dhe sapo ka mësuar emrin e tij, Elton Çiça i ka dërguar fjalë në burg Alisë, duke i thënë se do të merrte hak për këtë vrasje. Jani Alia, në atë kohë 23 vjeç, ishte arrestuar nga policia helene dhe ndodhej në paraburgim. Rreth 3 vite më vonë ndodh që arrestohet në Greqi edhe Elton Çiça. Dy tepelenasit rastis të përballen në të njëjtin vend, në Burgun e Koridhalosë, Alia i dënuar me 18 vjet burg për vrasje dhe Çiça me 5 vjet për drogë.
Aty ndodhi përplasja e parë fizike mes tyre, pasi Çiça plagosi me thikë Alinë, kur ndodheshin në ajrim. Disa javë pas kësaj ngjarjeje, Jani Alia del me leje nga burgu, pasi kishte bërë 10 vjet, por nuk kthehet më në burg dhe shpallet në kërkim nga policia greke. Pak kohë më pas lirohet edhe Elton Çiça, pasi përfundon dënimin. Pas këtij momenti nisin edhe atentatet.
ATENTATET
Më 30 mars 2015, Elton Çiçës i grabisin dhe u dhunojnë prindërit disa persona, të cilët ai më pas i gjend dhe vendos të hakmerret. Rreth dy muaj më vonë, më 10 qershor, Çiça shënjestron të parin nga tre grabitësit edhe dhunuesit e prindërve. Ai ishte Robert Rama, i cili u ekzekutua në një atentat në Durrës. Ndërsa më herët, më 4 maj, një tjetër atentat me eksploziv kishte dështuar në Kombinat, Tiranë, ndaj Elvis Imerit, po ashtu i dyshuar për grabitjen në Tepelenë.
Ndërsa vëllai i Imerit, Eltoni, mbeti i gjymtuar në një atentat me eksploziv në makinë, që ndodhi më 9 dhjetor të vitit 2015. Një atentat që Elton Çiça kishte organizuar me qëllim vrasjen e Jani Alisë, dështoi më 10 janar 2016 te Rruga e Kavajës në Tiranë, por gjatë të shtënave mbeti i plagosur një kalimtar i rastit. Pak muaj më pas, më 25 prill, Çiça i bën një tjetër atentat Alisë, këtë herë në Gjirokastër. Jani Alia plagoset lehtë në njërën dorë, por nuk pranon të denoncojë ngjarjen.
Përgjigjja për këtë ngjarje vjen shumë shpejt në Tiranë, më 1 maj të këtij viti, kur Jani Alia ekzekuton në një lokal në Tiranë Elton Çiçën. Në këtë ngjarje, Alia, sipas Policisë, kishte bashkëpunuar me disa persona të tjerë, një prej të cilëve ishte edhe Nelgert Pata, i cili i shpëtoi një atentati me snajper më 21 gusht të këtij viti, te pallatet “Delijorgji”, në Tiranë. Ndërsa më 28 gusht u tentua të vritet miku i ngushtë i Elton Çiçës, Andi Mustafaraj, i cili mbeti i plagosur me 3 plumba pas ish”Ekspozitës” në kryeqytet. Atentati i radhës, edhe pse nuk thuhet me siguri nëse është i fundit, është ai i djeshmi në Fier, ku u ekzekutua Nelgert Pata.
ATENTATET TË VRARË
- E.Ballazhiu, 20 vjeç, i vrarë në qershor të vitit 2000, autor i dyshuar, Jani Alia.
- Robert Rama, 31 vjeç, i vrarë më 10 qershor 2015, autor i dyshuar, Elton Çiça.
- Elton Çiça, 36 vjeç, i vrarë më 1 maj 2016, autor i dyshuar, Jani Alia në bashkëpunim.
- Nelgert Pata, 34 vjeç, i vrarë më 20 nëntor 2016, i dyshuar për vrasjen e Elton Çiçës.
TË PLAGOSUR
- Elton Imeri, 35 vjeç, i plagosur më 9 dhjetor 2015, autor i dyshuar, Elton Çiça.
- A.Q., 40 vjeç, kalimtar i rastit, i plagosur më 10 janar 2016, në një atentat që Çiça i bëri Alisë.
- Jani Alia, 39 vjeç, i plagosur më 25 prill 2016, autor i dyshuar Elton Çiça.
- Nelgert Pata, 34 vjeç, i plagosur më 21 gusht 2016. 5. Andi Mustafaraj, 29 vjeç, i plagosur më 28 tetor 2016.























