Kur erdhi në Londër, ishte vetëm një adoleshente e pafajshme, plot ëndrra. Nuk kishte ide të qarta, se çfarë dëshironte dhe aq më tepër se cila ishte arsyeja e ardhjes në Mbretërinë e Bashkuar.
Si shumë të rinj të tjerë, nuk mund të kuptonin familjen që kishin kërkuarnjë jetë më të mirë dhe besonin se Britania mundësonte këtë. Në fillim ata ishin të vendosur në Kent, por sapo ajo mbushi moshën madhore, u transferua në Londër, me vëllain e saj që jeton në Kinë, prej më shumë se 2 vitesh, ku dhe punon me profesion si arkitekt. I kujtohen çastet e para të saj, gjatë rrugëtimit drejt Londrës, ku shprehet se padashur pyeti shoferin dhe sa rrugë i kishin ngelur akoma për të arritur, ndërkohë që ai i kishte thënë se kishin mbi 30 minuta që po udhëtonin në Londër.
E si mund ta kishte kuptuar, kur në imagjinatën fëminore ajo priste qiellgërvishtëse, apo shumë drita, ku edhe vetë qielli të vezullonte, kur, në fakt, realiteti nuk ishte kështu, nuk vërejti asnjë nga këto dhe ndjeu një ndjenjë zhgënjimi. E kishte përfytyruar komplet ndryshe këtë vend që, aq shumë, kishte dëgjuar për të. Zhgënjimi që ndjeu në ato caste, i shtuan dëshirën për t’u rikthyer në Shqipëri.
Fillimisht ajo studioi në kolegj, ku, pasi mësoi gjuhën angleze dhe disa lëndë elementare, ishte e domosdoshme të mendonte rreth një profesioni dhe të ardhmes. Puna që ajo bën aktualisht nuk ishte absolutisht në mendimet e saj rreth profesionit dhe të ardhmes, ishin mësuesit apo pedagogët ata që I sugjeruan që të mendonte seriozisht se çfarë do të bëhej’. Ishte akoma herët për të, shprehet Ada, mendimet prej të rriturish dhe planet afatgjata nuk kishin udhëtuar akoma në mendjen e saj.
Ishte psikologjia, dega, që me ndihmën dhe sugjerimet e të ëmës, vendosi të aplikojë. I kujtohet se njëra nga mësueset, Helena, një zonjë tipike suedeze, me flokë të verdha me onde, diku, kishte pikasur karakterin e saj diskutues, që nuk hiqte dorë deri sa të fitonte “betejën”. Ajo i kishte thënë që, patjetër, duhet të bëhesh avokate, pasi cilësitë e saj tregonin një të tillë. Ajo shprehet se, në fakt, ishte frikësuar, edhe pse I pëlqenin diskutimet. Kurrë nuk do mundej të kishte atë zemrën luftarake, siç do të kishte një avokat i suksesshëm. Pavarësisht faktit se i pëlqente të argumentonte, ishte në dyshim, e mbizotëruar nga frika nëse do të mundej të mbronte dikë që e dinte, apo e mendonte të fajshëm. Gjithsesi, ajo gjeti kurajën, duke i anashkaluar këto pasiguri dhe aplikoi për të ndjekur studimet e larta për drejtësi dhe u pranua të studiojë në Access to Law, i cili u pasua nga LLB Law dhe shumë shpejt, pa e kuptuar, ishte në rrugën e një të “rrituri”.
Kur perfundoi dhe LPC (Legal Pactice Course), aty ajo u ndje se ishte gati, ku e cilëson si fillimin e rrugëtimit të saj të mirëfilltë. Kur e pyetëm se cili ishte çelësi i suksesit, ajo, pa hezitim, u shpreh se është shumë e shoqërueshme dhe modeste ku nuk mendon, se ka klasa shoqëria, si ato të ulta, të mesme, apo të larta, me një thjeshtësi shprehet: “Mendoj se jemi të gjithë njerëz, pavarësisht balancës në bankë, apo kostumit të shtrenjtë që kemi veshur”. Të jesh “peoples person”, apo e thënë në shqip, “njeri human”, vjen në mënyrë natyrale tek ajo dhe mundohet të respektojë gjithkënd, pavarësisht nga vijnë, kush janë apo çfarë pozicioni kanë në shoqëri. Njerëzit kanë problemet e tyre, pa ju nevojitur që ajo apo secili nga ne t’i shtojmë problemeve personale qe ai/ ajo mund të ketë, ku motoja e saj
është që të mundohemi për të ndikuar pozitivisht tek ata, me sado pak qoftë.
Kur vijmë tek pyetja rreth Atdheut se çfarë është për Adën, ajo, spontanisht, dhe plot buzëqeshje thotë: “Atdheu është i patjetërsueshëm. Sa do vite të kesh, kudo në botë, sado i
integruar, atdheu është një. Shqipëria ime është fëmijëria, familja, kujtimet dhe krijimi im”.
Këtë gjë nuk e thotë vetëm ajo, pasi të gjithë shqiptarët, pavarësisht vuajtjeve në atë Shqipëri të gjorë, e duan shumë vendlindjen e tyre. Dashuria dhe kujdesi është i madh,
mund të krahasohet me dashurinë e pashtershme për fëmijën që kërkon përkujdesje gjatë gjithë kohës, edhe pse me netët pa gjumë ai është pika jote e dobët, kështu është edhe Shqipëria për të. Me shumë të metat e saj, por e do më shumë, e dashuria vetëm rritet, ndaj shqiptarët janë patriotë fanatike. Pavarësisht se ajo thotë se nuk ka qenë aktive vitet e fundit në komunitetin e gjerë, nuk ka munguar të jetë aktive me shqiptarët. E ëma i dërgon nga një “dhuratë’, dhuratë kjo sepse i telefonon dhe i tregon, me shumë mallëngjim, kur nipit apo mbesës së ndonjë personi të njohur të familjes, i duhet ndonjë ndihmë, ku e bën të ndihet moralisht e obliguar që të përpiqet ta ndihmojë këta persona. Diku me këshilla falas, te pagesa e avokatit të dikujt që nuk mund të përballojë pagesën apo te pritja në shtëpi, për ata që nuk kanë vend ku të flenë, në ditë të vështira.
Është e ndërgjegjshme se nuk mjafton vetëm kjo mbështetje në komunitet dhe premton se do të angazhohet më shumë në të ardhmen, ka gjithmonë nevojë për përmirësime por që do vijnë gradualisht.
Mesazhi i saj për Shqiptarët, kudo që janë, është: “Mësojini fëmijëve tuaj shqip, duajeni veten dhe të tjerët!”.
“Udhëtimi im”- Klajdi Bregu: “Nëse ne heqim dorë nga inferioriteti dhe i besojmë më shumë njëri-tjetrit, do të ndikojë edhe në jetën në atdhe”
Kur ballafaqohej me racizmin grek ndërsa ishte student, mbase nuk e kishte menduar që një ditë do të ishte profesor...















